Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar vrasjen e civilëve dhe dëshmorëve të UÇK-së nga forcat serbe në Polac të Skenderajt, në vitin 1998.
“7 prilli është data kur kujtohen viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit të Drenicës! Përpara se të fillonte lufta në Kosovë, në fshatin Polac të komunës së Skënderajt jetonin rreth 450 familje me mbi 4000 banorë, që të gjithë shqiptarë.
Por gjatë ofenzivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera”, ka shkruar Kurti.





