Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, për nder të 25 vjetorit të rënies për liri të dëshmorëve Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku, ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Krushë të Madhe dhe në vendin e rënies mbi fshatin Fortesë. Ai është shprehur se Skenderi dhe Fitimi janë simbol i rezistencës, i përkushtimit dhe i vendosmërisë së pashoqe në luftën e lavdishme për liri. Kryetari Latifi në fund theksoi se ne që mbijetuam luftën, e kemi për detyrë dhe për nder që të përpiqemi të ecim me hapa dinjitoz në rrugën e trasuar me gjak e jetë, në mënyrë që të përmbushim idealet e dëshmorëve.
”Më 21 janar të vitit 1999, një rrugë të tillë e mision të rëndësishëm, të vështirë, por të domosdoshëm, e kishin nisur luftëtarët e lirisë, Skënder Rexhepi- Komandant HEKURI, Fitim Duraku, drejtues, organizator dhe pjesë aktive e shumë veprimeve luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Mustafë Bajraktari, veprimtar dhe luftëtar i përkushtuar në rrugën e lirisë (vdiq pas luftës), si dhe Xhavit Elshani, ish-komandant i njësitit “Syri i Shqiponjës” të Br.124. Ata, pasi e kishin mbushur makinën përplot me armë, predha dhe municione, që kishin destinacion ZOD-në dhe mbështetjen për Komandantin e saj, Ramush Haradinajn, diku mbi fshatin Fortesë (Bellacërkë), përballen me pusinë e organizuar të forcave serbe. Në përballje me forcat serbe të pritës, do të bie në fushën e betejës, komandant “Hekuri” dhe do të plagosen rëndë e lehtë, Fitim Duraku, Xhavit Elshani dhe Mustafë Bajraktari. Makina e mbushur me armë, predha dhe municione do të marrë flakë dhe do të digjet terësisht. Si pasojë e eksplodimit të makinës, nga plagët e marra, do të kalojë në amshim, Skënder Rexhepi.
Skënder Rexhepi është veprimtari i cili i shërbeu me besnikëri dhe tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Ai ishte i organizuar në grupe ilegale atdhetare qysh në vitet `80-ta. Rrugën e lirisë si veprimtar i shquar i LPRK-së, dëshmori Skënder Rexhepi e kishte zgjedhur me vetëdije të plotë, i ndërgjegjshëm plotësisht, se është e vështirë, e mundimshme, por gjithsesi rruga e vetme e nderit dhe e krenarisë. Asnjëherë nuk u shmang nga ruga e lirisë dhe pa u lëkundur, eci e kurrë s’u ndal për qëllimin dhe idealin e lartë të lirisë. Komandant Skender Rexhepi ka kryer misionin e luftëtarit të lirisë me nder dhe përgjegjësi, duke u bërë shëmbëlltyrë ndër breza për të cilët la amanet veprën jetësore dhe atdhetare.





