Ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë – Prizren, Dodë Gjergji, ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën, në meshën qendrore të mbajtur mbrëmë në Katedralen “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.
Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.
“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë, sepse ne që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës dhe sado e vështirë të jetë ajo”, tha Dodë Gjergji, raporton KosovaPress.





