“Secila grua, secila vajzë, në fakt secili person që përballet me dhunë duhet ta dijë se institucionet do të jenë pranë tyre, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se siguria e tyre do të mbetet prioritet i yni”.
Kështu deklaroi, të martën, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, në hapjen e takimit të parë ndërministror kundër dhunës, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Ajo tha se Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes nga dhuna, përmes avancimit të kornizës ligjore, politikave publike, koordinimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të shërbimeve mbështetëse për viktimat.
Ajo veçoi si një nga arritjet kryesore miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, duke theksuar se është rritur edhe vetëdija institucionale dhe shoqërore për trajtimin e rasteve të dhunës.
Sipas saj, pas çdo rasti qëndron pritja legjitime e qytetarëve që institucionet të veprojnë me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
Duke folur për rolin e Grupit Koordinues, Gërvalla theksoi se luftimi i dhunës nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet përkatëse.
Ajo shtoi se, me afrimin e përfundimit të Strategjisë Kombëtare 2022–2026, duhet të nisë planifikimi i prioriteteve të reja, bazuar në përvojën e deritanishme, rekomandimet e partnerëve dhe nevojat reale të qytetarëve.
Në përmbyllje të takimit, Gërvalla tha se suksesi në luftimin e dhunës nuk matet me numrin e strategjive apo mekanizmave të ngritur, por me sigurinë që u ofrohet qytetarëve, besimin që krijohet dhe jetët që mbrohen.