Propozimi i Ministrisë së Arsimit që përgjegjësia e blerjes së librave t’u kalojë prindërve të nxënësve, sipas drejtorëve komunalë të arsimit do të krijojë vonesa në fillimin e procesit mësimor dhe humbje efektive të mësimit. Pas një takimi që e mbajtën në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ata theksuan se problemin më të madh do ta kenë shtatë komuna, të cilat nuk kanë fare librari. Në takim nuk mori pjesë ministrja e Arsimit, e cila ishte e ftuar. Ndërkaq, një bashkëpartiak i saj ka lëshuar takimin në mënyrë demonstrative.
Sipas tyre, propozimi do të krijojë vonesa dhe humbje efektive të mësimit.
“Një gjë e tillë, me këtë mënyrë sesi është propozuar nga Ministria, do të jetë e pamundur që mësimi të fillojë në kohë, sepse pajisja me tekste shkollore nuk do të ndodhë me kohë, për shkak të gjithë këtyre problemeve logjistike që do të krijohen”, ka thënë Musmurati.
Përfaqësues të pushtetit lokal thanë se problemi më i madh do të jetë në shtatë komuna që nuk kanë fare librari.
“Tash rrugës na doli edhe një problem furnizimi me libra, gjë e cila nuk është prit mirë hiç në komunën tonë. Ne kemi pasë takime me Këshillin e Prindërve. Ata kanë shprehur shqetësimin për shkak se komuna e Klinës nuk ka as librari”, ka thënë Qemajl Sejdia – drejtor i Arsimit në Klinë.
“Kërkova prej Ferizaji një rrugë me na liru për një javë ditë Kaçanikut, që të shkojmë t’i blejmë librat se nuk kemi librari”, ka thënë Zahir Doda, drejtor i Arsimit në Kaçanik.
Sipas drejtorëve komunalë, në takim ka qenë e ftuar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për të cilën thanë se nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës.
E, një bashkëpartiak i Nagavcit, i cili është drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës, u tha se në mënyrë demonstrative e ka lëshuar takimin.
“E lëshova takimin këtu për arsye se kryetarja e kolegjiumit e bëri një deklaratë e cila do të duhej të postohej në faqen zyrtare të kolegjiumit, i cili është apolitik, mirëpo pas një kohe relativisht 10 minutave e anuluan dhe konsideroj se ishte sikur t’i vinte prej byrove politike të tyre, e ndryshuan deklaratën dhe e vendosën një deklaratë skandaloze”, ka thënë drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu.
Në komunikatë, me përmbajtjen e së cilës nuk u pajtua Fetahu, thuhet se Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Arsimit me shqetësim ka marrë lajmin e Ministrisë për çështjen e furnizimit me libra shkollorë. Në të është kërkuar që mësimi të fillojë në kohë, e që humbjet e orëve të mos përsëriten sikur vitin e paraprak./KOHA/