Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh për rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe.
Në një postim në Facebook, presidenti Begaj ka publikuar një video-mesazh me poezinë “Gjuha shqype”, të interpretuar nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Selim Alliu” në Peshkopi, shkollë e cila është fituese aktuale e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe.
“Krenar për gjuhën tonë amtare shqipe. Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare,” ka theksuar presidenti shqiptar.
Ai ka nënvizuar se vargjet e Fishtës, si në kohën kur janë shkruar, ashtu edhe sot, kanë të njëjtin kuptim për bukurinë e gjuhës shqipe, për përcjelljen e saj nga brezi në brez, ruajtjen në vise e fe të ndryshme, si dhe për fuqinë e saj si element identitar i kombit.