Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ndihmë më të madhe të Shteteve të Bashkuara kundër planeve të Serbisë.
Në një bisedë telefonike me këshilltarin për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, Kurti ka shprehur zotimin se Policia e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in.
“Kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Kosovës në sigurinë kufitare dhe kam kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë. E kam siguruar për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Encouraging call w/ @POTUS NSA @jakejsullivan. Thanked him for 🇺🇲 support of 🇽🇰 border security & requested increased assistance against Serbia’s warfare plans. Assured him of continued Kosova Police cooperation w/ KFOR & that our commitment to protect all citizens is unshakable.
— Albin Kurti (@albinkurti) September 29, 2023
Më herët gjatë ditës të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Serbia që t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe që sulmuesit në rastin e Banjskës të mbahen përgjegjës.
NATO-ja po sot ka vendosur për shtim të trupave në Kosovë.
Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.