Banka Qendrore të Republikës së Kosovës njofton se ka miratuar pasqyrat financiare vjetore të BQK-së për vitin financiar 2025, të audituara nga auditori i jashtëm i pavarur.
Sipas njoftimit, pasqyrat financiare vjetore kanë marrë opinion të pastër (pa kualifikim) nga auditori i jashtëm, duke konfirmuar se ato paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare dhe performancën financiare të Bankës Qendrore, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar.
Për vitin financiar 2025, BQK thotë se ka realizuar të ardhura neto në vlerë prej 24 milionë euro. Siç bëhet e ditur, në përputhje me Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (nenin 55, si dhe nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2), 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në si të hyra për buxhetin e shtetit, ndërsa 50 për qind alokohen në fondin e rezervave të përgjithshme të Bankës Qendrore.
Në bazë të këtyre dispozitave, 12 milionë euro nga të ardhurat e ndashme për vitin 2025 thuhet se do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në rezervat e përgjithshme të BQK-së, në përputhje me kërkesat ligjore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare institucionale.
Sipas BQK-së, ky është viti i tretë radhazi që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar vlerën totale të transferimeve në afër 38 milionë euro.
“Miratimi i pasqyrave financiare me opinion të pastër nga auditori i jashtëm dhe ndarja e të ardhurave për buxhetin e shtetit reflektojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes institucionale, administrimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies së BQK-së, në përputhje me mandatin e saj ligjor” – thuhet në njoftim.
Banka Qendrore thekson se do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të kujdesshme, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e sistemit financiar dhe qëndrueshmërinë afatgjatë institucionale.
“Pasqyrat financiare vjetore, së bashku me raportin e auditorit të jashtëm, do të publikohen dhe dorëzohen në pajtim me kërkesat ligjore për raportim dhe transparencë” – njofton në fund BQK.
