LAJME

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lanson platformën Open Data, lehtësohet qasja në deklarimet e pasurisë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lanson platformën Open Data, lehtësohet qasja në deklarimet e pasurisë
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Korrik 2026, 09:53

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar platformën Open Data, raporton Ekonomia Online.

Kjo platformë synon të avancojë transparencën institucionale dhe të lehtësojë qasjen e publikut në të dhënat me interes publik, ndërsa mundëson qasjen në deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publikë në tri forma.

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin  e Korrupsionit tha se platforma OpenData është më lehtë e qasshme.

Sipas tij, kjo platformë do të ndihmojë në hulumtime si për media ashtu edhe për shoqërinë civile.

“Si Agjenci, kemi filluar javën me prezencë të shtuar në media, kemi vazhduar dje me aktivitete në nivelin lokal ku kemi diskutuar në tetë komuna të Kosovës dhe kemi bashkëbiseduar mbi të gjitha me zyrtarë komunalë, kemi ndarë me ta informata për sa i përket etikës dhe sjelljes etike në punë, po ashtu edhe për mekanizmat që ata mund të përdorin në qoftë se evidentojnë ndonjë formë të shkeljeve apo keqpërdorimeve, qoftë nga ata që e kryejnë punën e tyre si zyrtarë, po ashtu nga qytetarët që pranojnë shërbime nga institucionet që ndodhen aty. Ka qenë një aktivitet i suksesshëm ku me qindra, në qoftë se jo me mijëra qytetarë, dje kanë pranuar informata nga Agjencia.

Sot është dita e tretë për neve tepër e rëndësishme sepse si Agjenci për herë të parë e lansojmë platformën Open Data. Kjo platformë ka qenë kërkesë e kahmotshme edhe e shoqërisë civile dhe e mediave për të pasur qasje më të lehtë në informatat që posedon Agjencia. Kryesisht në informatat që posedon për sa i përket deklarimit të pasurisë sepse ato kanë qenë më të kërkuarat për të përpunuar, qoftë për efekte studimi nga shoqëria civile, po ashtu edhe për studime që mund të bëjnë mediume të caktuara apo edhe studiues të caktuar nga akademia për qëllimet e tyre akademike”, ka thënë ai.

“Sot e shënojmë arritjen e një standardi të ri, standard i cili Agjencia është zotuar edhe para OGP-së që do ta krijojë këtë lloj aktiviteti. Përveç që të dhënat do të jenë të hapura, ne kemi përfunduar edhe mekanizmin e ndërlidhjes direkte ku OJQ-të e caktuara, mediume të caktuara, në qoftë se kanë ndonjë platformë që do t’i përpunojë në mënyrë automatike të dhënat e Agjencisë, mund të kërkojnë qasje për të krijuar mekanizmin API ku me kërkesë në Agjenci ju krijohet qasja për një afat të caktuar, qoftë një vit, dy apo të tjera, ku i pranojnë në mënyrë automatike secilin përditësim të të dhënave që e prezanton Agjencia.

Standardi i të dhënave të hapura është standard i transparencës, është standard i afërsisë së Agjencisë me qytetarin. Ky mekanizëm ju lehtëson mjaft shumë, po besojmë, të gjithë të interesuarve për të pranuar të dhënat, jo tashmë vetëm në formatin PDF, por në formatet të cilat janë ose Excel, apo CSV e të tjerë, të cilat janë lehtë të përpunueshme nga ta.

Edhe për Agjencinë do të ndihmojë kjo sepse do ta lehtësojë, po besojmë, nevojën për komunikim dhe kërkesat direkte nga secili qytetar apo medium apo OJQ, sepse të dhënat tashmë do të jenë të lehtësisht të qasshme dhe të përpunueshme”, tha Buleshkaj.

Kurse, Besnik Dragusha, udhëheqës i divizionit të shërbimeve informative në APK prezentoi platformën për deklarim të pasurisë e cila do të jetë e qasshme për të gjithë, edhe për qytetarët e Kosovës.

“Platforma Open Data është zhvilluar me teknologjinë më të fundit të Microsoft-it, .NET Core me .NET Core dhe ka një bazë të integruar e cila gjithashtu është teknologji e Microsoft-it, SQL Server.

Të dhënat në platformën Open Data merren në mënyrë njëkahore ose njëdrejtimëshe nga databaza e deklarimit të pasurisë, do të thotë sipas standardit që vendos agjencia, një herë në javë ose një herë në muaj, për t’u fshirë të dhënat, por ju do ta keni çdo herë pamjen kur është bërë përditësimi i fundit i të dhënave të deklarimit të pasurisë.

Platforma mundëson… mundëson shkarkimin e deklarimeve të pasurisë për secilin subjekt deklarues, qoftë individualisht një deklarim të pasurisë, qoftë të gjitha deklarimet për personin në fjalë. Gjithashtu, mundëson edhe filtra të ndryshëm sipas institucioneve, funksioneve ose për të gjithë zyrtarët publikë.

Shkarkimi i deklarimeve ose i regjistrave të deklarimit bëhet në tri formate, formatin PDF – siç ka qenë standardi i agjencisë deri tash – formatin Excel edhe formatin CSV file.

Ndërsa, përveç këtyre, kemi zhvilluar edhe një API i cili bën ndërlidhjen e platformës sonë me platformat e tjera të cilat mund t’i përdorin të dhënat tona për të bërë krahasime dhe analiza të tyre dhe në API, të dhënat mund të merren edhe në formatin JSON file që është një prej formateve më të përdorshme aktualisht globalisht, sidomos për ata që përdorin gjuhën programuese Python”, tha Dragusha.

“Platforma Open Data e ka domenin open-apk.rks-gov.net. Për t’u qasur kësaj platforme ose për të shkuar në platformën Open Data janë dy mundësi. Pamja e home-it ose pamja bazike e platformës në kohë reale sa deklarime të pasurisë janë në vitin e fundit sipas statistikave. Do të thotë, në vitin aktual, vitin 2026, në platformë ekzistojnë 12.791 deklarime.

Ndërsa në total janë 44.641 deklarime. Arsyeja pse është ky numër është për arsye se aktualisht në platformë i kemi vendosur deklarimet që nga viti 2023 deri më ditën e djeshme.

Ndërsa të dhënat e deklarimit të pasurisë para vitit 2023 së shpejti do të përditësohen dhe do të azhurnohen në platformë dhe do të jenë të gjitha të dhënat që nga viti 2010.

Në butonin e fundit me statistika që po shihet numri 10.766 paraqet numrin e zyrtarëve të lartë publikë ose subjekteve deklaruese që janë aktivë në deklarimin e pasurisë aktualisht. Domethënë, 10.767 zyrtarë publikë aktualisht janë subjekte deklaruese në Kosovë”, tha Dragusha.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika