Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka rikujtuar se më 18 shkurt 2008 SHBA njohu shtetin e Kosovës, një ditë pas shpalljes së pavarësisë.
Në një postim në Facebook, Ambasada kujton se më 18 shkurt 2008, presidenti George W. Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
“Sot shënohen 18 vjet që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Më 18 shkurt 2008, Presidenti George W. Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona. Vendosja e këtyre marrëdhënieve rikonfirmoi lidhjet e veçanta të miqësisë që bashkojnë popullin amerikan dhe popullin e Kosovës. Siç u shpreh atëherë Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice ‘Ndërsa Kosova sot fillon jetën e saj si shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë të jenë mik dhe partner i saj i ngushtë’.” – shkruan në postimin e Ambasadës.