Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) po realizohen me shumë sukses intervenimet kirurgjike te veshit ku shumë pacientëve i’u është rikthyer dëgjimi.
Një nga rastet e suksesshme është ai i pacientes R.H. (1981), e cila për 18 vjet ishte përballur me humbje të rëndë të dëgjimit dhe vështirësi të mëdha në komunikim.
“Pacientja kishte kërkuar trajtim në qendra të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, pa arritur përmirësimin e dëshiruar. Pas vlerësimeve të detajuara klinike, ekzaminimeve diagnostike dhe analizës multidisiplinare të rastit, ajo iu nënshtrua me sukses ndërhyrjes kirurgjikale në Klinikën e Otorinolaringologjisë”, thuhet në njoftim.





