18 vjet burgim Endrit Nikës për vrasjen e të dashurës argjentinase

LAJMEMë pak se 2 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|1 orë
18 vjet burgim Endrit Nikës për vrasjen e të dashurës argjentinase

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës argjentinase Maria Calara Urdangaray në një hotel në Fushë-Kosovë më 1 gusht 2023.

Endrit Nika akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje me viktimën Maria Clara Urdangaray, fillimisht e goditi në mënyrë të vazhdueshme e më pas tentoi edhe ta shkelte me veturë në parkingun e një hoteli në Fushë-Kosovë.

Po sipas aktakuzës, Nika ushtroi dhunë ndaj viktimës edhe në dhomë, derisa në një moment e hodhi atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit ku po qëndronin.

Nika akuzohej për “Vrasje e rëndë”.

Magdalena Urdangaray, nëna e Maria Clara Urdangaray, ka thënë se vajza e saj e mori drejtësinë dhe për këtë falënderoi institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës argjentinase më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë.

Pas shpalljes së aktgjykimit të enjten, Magdalena u shpreh se gjithmonë kanë besuar në drejtësinë e Kosovës.

“Përkundër të gjitha vështirësive, ka qenë e vështirë nga fillimi për ta rikthyer… por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë shumë punën e prokurorit që gjithmonë është përpjekur ta zbulojë të vërtetën. Dhe sot e ka dëshmuar me të gjithë provat. Klara e ka marrë drejtësinë.  Faleminderit Kosovë, faleminderit gjithë shoqërisë që na mbështetën”, ka thënë ajo në lot dhe duke mbajtur flamurin e Kosovës në duar.

Magdalena deklaroi se asgjë nuk mund t’i ngushëllojë për vdekjen e vajzës.

“Ajo vazhdon të jetë e vdekur, asgjë nuk mund të na ngushëllojë dhe ai vazhdon të jetojë. Vajza jonë mbeti e vdekur në formë më brutale”, përfundoi nëna e Claras./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika