Gjatë ditës së sotme, 60 organizata të shoqërisë civile, përfshirë organizatat përfaqësuese të të gjitha mediave në Kosovë, i kanë dërguar letër Kryetares së Gjykatës së Prishtinës dhe gjykatësit të rastit, me kërkesën që propozimi i Prokurorisë së Prishtinës për dënim me vetëm 2 mijë euro ndaj dy prej tre personave të akuzuar për ngacmimin e gazetares së Kallxo.com, nëpërmjet grupit famëkeq Albkings, të mos pranohet nga Gjykata dhe çështja të përfundojë me një dënim meritor.
Sipas një reagimi për media, OJQ-të kanë theksuar se një dënim i tillë për një rast kaq të rëndë të sulmeve dhe ngacmimeve ndaj grave gazetare është i papranueshëm.
“Ne, organizatat e poshtëshënuara, me shumë shqetësim kemi pranuar njoftimin nga gazetarja e Kallxo.com, viktimë e grupit famëkeq “AlbKings” në rrjetin “Telegram” për planet lidhur me dënimet skajshëm të ulëta ndaj tre ngacmuesve të grave gazetare. Nga ky njoftim kemi kuptuar se një grup prej tre ngacmuesish të gazetares dhe shumë vajzave të tjera, potencialisht viktima të grupeve pornografike në rrjetin “Telegram”, siç ishte grupi “AlbKings”, parashihet të dënohen vetëm me nga 2,500 euro gjobë, bazuar në një marrëveshje të paprecedentë të lidhur ndërmjet ngacmuesve dhe Prokurorisë së Prishtinës, e përfaqësuar nga prokurorja Elza Bajrami. Marrëveshja është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Zejnullah Gashi. Për këtë marrëveshje viktima as nuk është informuar e as nuk është pyetur për anën e saj”, shkruan në reagim.
Tutje, është theksuar se dënime të tilla ndaj ngacmuesve të grave gazetare dhe ndjekësve të platformave pornografike dëshmojnë mendësinë patriarkale të sistemit dhe vullnetin e prokurorëve për të mbyllur sytë para dhunës ndaj grave.
“Është shumë e qartë se për këtë vepër ligji parashikon dënim deri në 3 vite burgim, mirëpo Prokuroria ka pranuar një dënim skajshëm minimal, i cili nuk përmbush asnjë standard ligjor dhe etik për situatën. Në këtë rast, Prokuroria ka trajtuar ngacmimin ndaj një gazetareje si një çështje të zakonshme dhe pa pasoja për të mirën publike. Dënime të tilla ndaj ngacmuesve të grave gazetare dhe ndjekësve të platformave pornografike, të cilat tashmë kanë shkaktuar qindra viktima tek vajzat dhe gratë e Kosovës, edhe një herë dëshmojnë mendësinë patriarkale të sistemit dhe vullnetin e prokurorëve për të mbyllur sytë para dhunës ndaj grave. Me shumë shqetësim jemi njoftuar se Gjykata e Prishtinës ka vendosur që më 18.09.2025 të pranojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë me kushtet e dënimit me gjobë për një grup që ngacmon gratë gazetare. Për më tepër, është tejet shqetësuese që vendimi i Gjykatës vjen në një situatë kur gazetarja dhe mbrojtja e saj kanë kërkuar që rasti të trajtohet në një gjykim të hapur, ku do të paraqiteshin prova që do të dëshmonin se kryesit kishin qëllime të organizuara për frikësimin e grave që janë pjesë e jetës publike”, thuhet tutje në reagim.
Organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë thirrje gjykstësit të rastit që të marrë parasysh propozimin e gazetares dhe mbrojtjes së saj për proces të drejtë gjyqësor dhe të hedh poshtë marrëveshjen për pranim të fajësisë me të akuzuarit.
“Për ne si aktivistë është e papranueshme një qasje e tillë, ku në procese ku viktima janë gratë – e në këtë rast gratë gazetare – propozimet e tyre për procese të drejta gjyqësore hidhen poshtë përmes marrëveshjeve të tilla. Duke ditur procedurat ligjore, ne, organizatat e poshtëshënuara, i bëjmë thirrje gjykatësit të rastit, Fisnik Gashi, që të mos lejojë që para syve të tij të kalojë një ujdi e tillë, e cila i amniston ngacmuesit dhe i riviktimizon vajzat dhe gratë gazetare. Dënimi me vetëm 2 mijë e 500 euro për ngacmuesit e gazetareve, të cilët përdorin mënyrën më perfide të sulmit kibernetik online, është i papranueshëm dhe nuk i shërben mbrojtjes së grave gazetare dhe aktiviste, të cilat çdo ditë e më shumë janë pre e ngacmimeve të tilla. Duke qenë të vetëdijshëm se ky proces tashmë ka marrë një rrugë të vështirë ligjore, kemi shpresën e fundit që gjykatësi i çështjes, në orët e fundit, të rivlerësojë lartësinë e dënimit duke shqiptuar një dënim meritor për situata të tilla. Mbetemi me shpresë që në shpalljen e aktgjykimit, e cila është paraparë për ditën e hënë, më 22.09.2025, ngacmimet e orkestruara ndaj grave gazetare dhe aktiviste të marrin një dënim të merituar nga Gjykata Themelore e Prishtinës”, potencuan në fund të këtij reagimi organizatat e poshtëshënuara.
1. Asociacioni i Gazetareve te Kosoves, AGK
2. Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, AMPEK (asociacion i 93 mediave elektronike)
3. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, KMShK (mekanizëm vetërregullues i mediave online me 49 anëtarë)
4. Rrjeti i Grave të Kosovës (rrjet i 102 OJQ-ve anëtare)
5. Activism Roots
6. Advocacy Center for Democratic Culture – ACDC
7. Advocacy Training and Resource Center, ATRC
8. ANIBAR
9. Art and Community Center – ARTPOLIS
10. Balkan Green Foundation, BGF
11. Rrrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN
12. CEL Kosova
13. Civil Rights Program Kosovo – CRP/K
14. Community Building Mitrovica, CBM
15. Community Development Fund, CDF
16. Dajana Berisha, Forumi për Iniciativa Qytetare, FIQ
17. Democracy for Development, D4D
18. Demokraci Plus, D+
19. Durmish Asllano
20. Ec ma ndryshe
21. Fondacioni Kosovar i Shoqërisë Civile, KCSF
22. Fondi për të Drejtën Humanitare, HLC
23. Fourth Wave
24. GERMIN
25. HANDIKOS Istog
26. HANDIKOS, Drenas
27. Instituti Demokratik i Kosovës, KDI
28. Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale
29. Instituti QIKA
30. Instituti Riinvest
31. Internews Kosova
32. KMDLNj
33. Kolektivi Hyjneshat
34. Kosovo Advocacy and Development Centre – KADC
35. Kosovo Women for Women
36. Lëvizja FOL
37. NGO AKTIV
38. OJQ AVOKO
39. OJQ COHU
40. OJQ Dylberizm
41. OJQ Gjethi
42. OJQ ISDY
43. OJQ Mundesia
44. OJQ Pishtaret
45. OJQ Romtegra
46. OJQ YES
47. OJQ ZANA
48. Open Data Kosovo
49. Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
50. Qendra Kosovare për Studime Gjinore, QKSGj
51. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS
52. Qendra per Zhillimin e Grupeve Shoqerore – CSGD
53. Romano Avazo
54. Rrjeti Avonet
55. Rrjeti i Grave Gazetare te Kosoves
56. Rrjeti Qeliza
57. Sekhmet Institue
58. SH-L Kosova
59. Syri i Vizionit
60. Women in Tech Kosova