Subjektet politike kanë filluar t’i bëjnë publike kandidaturat e tyre për kryetarë komunash, me përjashtim të LVV-së që nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, duke folur në lidhje zyrtarizimin e kandidatëve, tha se 16 gushti është afati i fundit kur subjektet politike mund të aplikojnë për t’u certifikuar për zgjedhjet e 17 tetorit.
Cakolli theksoi se gjatë kësaj periudhe kohor subjektet politike duhet t’i bëjnë publike edhe kandidaturat me të cilat garojnë në zgjedhje.
“Tashmë kemi hyrë në dy javët e fundit të afatit ligjor, prej gati dy muajsh sa ka qenë i përcaktuar nga KQZ-ja, gjatë të cilit subjektet politike duhet të aplikojnë për tu certifikuar në zgjedhje. Përkatësisht duhet të tregohen edhe kandidaturat e tyre për komunat përkatëse ku ata do të garojnë. Në bazë të planit operacional të miratuar nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, 16 gushti është afati i fundit që subjektet politike kanë në dispozicion për të aplikuar në mënyrë që të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit. Pas përmbylljes së këtij afati, KQZ-ja do të ketë kohë afërsisht 2-3 javë për t’i verifikuar të njëjtit, dhe për t’i dërguar shkresat nëpër institucionet përkatëse. Deri me 1 shtator është data e fundit që KQZ-ja të marrë vendim për tu certifikuar ose për të mos u certifikuar kandidatët e subjekteve politike” tha Cakolli për “Gazeta Blic”
Tutje Cakolli tha se jo të gjitha kandidaturat e bëra publike do të certifikohen nga KQZ-ja, pasi janë disa filtra të kontrollit.
“Përkundër faktit se deri më tani një pjesë e madhe e subjekteve politike kanë shpallur disa kandidatura, jo të gjitha këto kandidatura do të certifikohen nga KQZ-ja, për shkak se janë disa filtra të kontrollit dhe të verifikimit të cilat duhet të zbatohen përpara se të njëjtit të certifikohen si kandidat, qoftë për të parin e komunës apo edhe për Kuvendet komunale. Konkretisht duhet të njëjtit të kenë banuar të paktën tri vite në komunën përkatëse, që është kushti i parë për të garuar në zgjedhjet lokale, dhe së dyti janë kriteret ligjore” deklaroi ai.
Eugen Cakolli Hulumtues, KDI
Partia në pushtet, LVV-ja, ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për kryetar komune, deri në këto momente.
“Gazeta Blic” ka tentuar disa herë të komunikojë për këtë çështje me zëdhënësin e LVV-së, Arlind Manxhuka, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Po pse LVV-ja po heziton t’i bëjë publike kandidatët për kryetarë komunash???
Njohësi i rrethanave politike në vend, Shemsi Jashari, thotë se LVV-ja është duke u vonuar në emërimin e kandidatëve për kryetarë komunash për shkak të konkurencës së madhe brenda strukturave.
Jashari thotë se kjo përplasje është mes aktivistëve të vjetër të LVV-së dhe atyre që nuk kanë shumë aktivitet në këtë parti.
“Lëvizja Vetëvendosje është duke u vonuar në emrimin e kandidatëve për kryetar komunash për arsye të konkurencës së madhe brenda strukturave për tu kandiduar, pasi numri i madh i votave në zgjedhjet e fundit iu jep siguri kandidatëve për tu zgjedhur dhe secili don ta shfrytëzoj këtë mbështetje për LVV për tu zgjedhur si kryetar. Ka përplasje brenda strukturave të LVV-së, dhe ato përplasje janë kryesisht mes dy grupeve. Grupi i parë përbëhët nga aktivistët e vjetër të LVV-së,që bashkë kanë punuar gjatë për të ardhur në pushtet dhe grupi i dytë janë të ardhurit e vonshëm që nuk kanë aktivitet për LVV-në, por që janë më të shkolluar dhe me pervojë në lojrat politike,dinë të servilohen dhe të janë të ndëgjueshëm për strukturat e larta. Tashmë sfida e Albin Kurtit është si të gjejë zgjidhje pa qarje të mëdha, prandaj edhe po e shtynë nominimin për ti menagjuar paknaqsitë qoftë duke tentuar ti bindë disa aktivistë për të hequr dorë nga kërkesat,qoftë duke i plotësuar kërkesat e tyre duke iu dhënë pozita në qeveri.” tha Jashari për “Gazeta Blic”.
Shemsi Jashari, Analist
Edhe profesori universitar, Muhamed Kelmendi, ndan të njëjtin mendim në lidhje me vonesën e shpalljes së kandidatëve nga ana e LVV-së.
Kelmendi thotë janë dy grupeve rivale, i Vjosës dhe Albinit që synojnë kandidimin.
Tutje ai thotë se VV-ja në Prishtinë ka shumë probleme të brendshme rreth pozicionimit për kandidatin për kryetar.
“VV-ja ka probleme të brendshme të medha për kandidatin për kryetar të Prishtinës.Tash jane disa mundesi nga grupet që po intervenojnë në këtë çështje.VV-ja nuk po mund të arrin pajtimin midis grupeve, kanë pretendime dy grupet . Ai i Vjoses dhe Albinit me shokë. Se si do te shkoje çeshtja çështë veshtirë të parashihet. Natyrisht se kështu ka veshtiresi dhe krijon një gjendje të rënde per vete VV-në dhe kandidatin e saj.Mendohet se së shpejti do të arrihet pajtimi dhe të paraqitet kandidati dhe lista.Kush do jetë është vështire të ipet një prognozë e qartë” tha Kelmendi për “Gazeta Blic”
Muhamet Kelmendi, Profesor Universitar
LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja, Nimsa Socialdemokrate dhe AKR-ja tashmë i kanë zyrtarizuar kandidatët në Prishtinë dhe kanë filluar t’i bëjnë publikë edhe në komunat e tjera.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit vijnë pak muaj pas zgjedhjeve të përgjhithshme që u mbajtën në vend.