Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 95.341 raste nga 456.664 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.948 raste të vdekjes.IKSHPK njofton se gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 788 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 79.490 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.903.Ndryshe, tashmë janë në fuqi masat e reja antiCOVID-19.
Me këto masa ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00-05:00.
“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”.Në vendim thuhet se institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).