LAJME

Damka reagon ndaj aktakuzës së Apelit për korrupsion: E pabazuar dhe e motivuar politikisht

Damka reagon ndaj aktakuzës së Apelit për korrupsion: E pabazuar dhe e motivuar politikisht
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Tetor 2026, 12:06

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për prishjen e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe konfirmimin e aktakuzës në çështjen që ka të bëjë me projektin e zbatuar në bashkëpunim me organizatat “Caritas Zviceran” dhe “Germin”, Zyra e Zëvendëskryeministrit Fikrim Damka, ka sqaruar se në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për hedhjen e aktakuzës, duke vlerësuar se nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e procedurës penale.

Sipas tyre, ky vendim ishte marrë në fazën e shqyrtimit paraprak të aktakuzës dhe jo pas shqyrtimit të provave në një proces gjyqësor.

Në reagim thuhet se zëvendëskryeministri Damka e konsideron aktakuzën të pabazuar dhe të motivuar politikisht.

Sipas vlerësimit të tij, në këtë çështje nuk është provuar asnjë element i vetëm i veprës penale në nivelin e dyshimit të bazuar, i cili kërkohet për të justifikuar vazhdimin e procedurës penale.

“Deri më tani, zëvendëskryeministri Damka nuk e ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe, për rrjedhojë, nuk është njoftuar me arsyetimin mbi të cilin është mbështetur vendimi për prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Njohja me arsyet konkrete juridike dhe faktike që e kanë shtyrë Gjykatën e Apelit të marrë një vendim të ndryshëm nga ai i Gjykatës Themelore, është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se, sipas vlerësimit të zëvendëskryeministrit Damka, asnjë element i veprës penale nuk është mbështetur me prova që do të përmbushnin standardin e dyshimit të bazuar.” – thuhet në reagim.

Tutje, thuhet se zëvendëskryeministri Damka do të shqyrtojë me kujdes arsyetimin e plotë të aktvendimit të Apelit pas pranimit të tij dhe do të vlerësojë, në konsultim me mbrojtjen e tij, hapat e mëtejshëm ligjorë që mund të ndërmerren në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe fazën aktuale të procedurës.

“Zëvendëskryeministri Damka shpreh besimin e tij në drejtësi dhe në rëndësinë e vendimmarrjes gjyqësore të bazuar në ligj, prova dhe standarde të qarta juridike. Ai do të vazhdojë t’i ushtrojë detyrat e tij me përgjegjësi, duke respektuar institucionet dhe procedurat ligjore.” – përfundon reagimi.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika