Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje diasporës që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor në Kosovë.
Në një konferencë për media, ish-deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka prononcuar rreth mundësisë së një koalicioni mes LDK-së dhe NISMA’s së Fatmir Limajt, duke thënë se ka “pasur bisedime parimore”.
Zemaj deklaroi se LDK ka zhvilluar gjithashtu bisedime edhe me grupe të tjera politike.
“Ka pasur bisedime parimore, s’them që s’ka teknike. Ne kemi bashkëbisedim edhe me grupet e tjera politike. Mendoj që askush nuk vije nëse nuk e nën vetë të përafërt me ideologjinë e një subjekti”, tha ai.
Duke iu referuar diskutimeve që ndodhën në mbledhjen e KQZ-së një ditë më parë, Zemaj tha se procesi i votimit të mërgatës është një proces i shtetit dhe jo i partive politike.
“LDK e mirëpret këtë proces dhe e vlerëson si pjesë të pandashme të funksionimit të një demokracie transparente dhe gjithëpërfshirëse. Të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në mërgatë dhe që nuk kanë mundësi të jenë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve i ftojmë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Zëri i tyre ka vlerë, vota e tyre ka peshë dhe pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme për të ardhmen e vendit tonë.
Fatkeqësisht këto ditë jemi dëshmitar të përpjekjeve për të ushtruar presion dhe ndikim politik mbi procesin e votimit të mërgatës, duke u përpjekur që të pengohet miratimi i buxhetit të domosdoshëm për administrimin e këtij procesi. Ne i bëjmë thirrje VV-së që të qëndrojë larg çdo tentative për ndërhyrje në këtë proces, presion apo bllokim, qoftë përmes postës, qoftë përmes votimit në konsullata apo ambasada. Procesi i votimit të mërgatës është proces i shtetit e jo i partive politike, respektimi i tij është obligim institucional dhe jo opsion politik”, tha Zemaj./Sinjali
