Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrah nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Ligji për Gjykatën Speciale të votohet pa ndryshime, duke thënë se nuk është mirë që të nxitohet e të gabohet sërish. Partia në pushtet ka kërkuar që të ketë konsultime me Bashkimin Evropian e më pas të raportohet në Kuvend.
Deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se gabimet po u kushtojnë rëndë, prandaj nuk ka nevojë për nxitim pasi ka edhe dy javë kohë.
“I kemi edhe dy javë kohë. Nuk është mirë që përsëri të nxitohemi e përsëri të gabojmë e të pendohemi. Gabimet po na kushtojnë rëndë. Nuk ka mandej lexim të katërt!”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka bërë thirrje që i gjithë grupi punues për strategjinë shtetërore për Apelin në Hagë të konsultohen me BE-në e më pas të raportojnë në Kuvend e të shihen se ku mund të bëhen ndryshime.
“I gjithë Grupi Punues për Strategji drejt Apelit në Gjykatë Speciale me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhe në krye me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, duhet të takohet dhe konsultohet me BE-në. Pastaj, le të vijnë dhe raportojnë në Kuvend”, u shpreh Rrustemi.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, PDK-ja kërkoi që të votohet për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula, që do të thotë se ligji të hyjë automatikisht në fuqi ashtu siç është miratuar në Kuvend, e më pas të bëhen ndryshime përmes amendamenteve. Por nga VV-ja kanë shprehur drojë se kjo mënyrë mund të sjellë probleme të tjera me ligjin, duke kërkuar që të ketë krejtësisht nismë të re ligjore dhe që Ligji aktual të rrëzohet.
Ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin votuar më 6 tetor. E më 22 tetor, Ligji është kthyer në Kuvend nga presidentja Shiroka-Pula me kërkesë të PDK-së, që i inicioi ndryshimet.
Ndryshimi i Ligjit u bë rreth dy javë pasi Gjykata dënoi me 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Me ndryshime, PDK-ja kërkoi që dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet burgim, të lejohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales, dënimet të mund të vuhen në Kosovë, në vend që të vuhet domosdoshmërisht jashtë vendit dhe presidenti i Kosovës të ketë mundësi të japë amnisti për persona të dënuar nga Dhomat e Specializuara.
Kërkesa e PDK-së për rishqyrtimin e tij para dekretimit nga presidentja nuk u përkrah nga të gjithë deputetët e saj./KOHA