LAJME

Spiropali nis vizitën nga Prekazi: Dëshmia se liria ka pasur çmim

Spiropali nis vizitën nga Prekazi: Dëshmia se liria ka pasur çmim
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Shkurt 2026, 10:03

Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali bashkë me homologun e saj në Kosovë, Glauk Konjufca kanë qëndruar për vizitë në Prekaz gjatë ditës së sotme.

Ata kanë vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe kullën e familjes Jashari.

Në Prekaz, Spiropali dhe Konjufca kanë takuar Rifat Jasharin dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Në një postim në Facebook, teksa ka ndarë një video që përmbledh momente të shkëputura nga Prekazi, ka thënë se nga ky vend përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar.

Spiropali ka shtuar se Prekazi është dëshmia se liria ka pasur çmim.

“Ka vende ku fjalët bëhen të vogla. Sot, bashkë me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, u përulëm në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti. Në Prekaz nuk përkujtohet vetëm një betejë. Përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar. Kulla e Jasharajve, ku u pritëm prej Bacë Rifat Jasharit, nuk është thjesht monument.  Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë. Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë.  Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon të jemi të denjë”, ka shkruar ajo.

Spiropali e Konjufca pas kësaj vizite janë kthyer në Prishtinë për t’i zhvilluar takimet zyrtare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika