LAJME

Skandali në BKS, avokatët e të arrestuarve thonë se po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim

Skandali në BKS, avokatët e të arrestuarve thonë se po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Janar 2026, 11:39

Avokatët e të arrestuarve për skandalin në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) kanë thënë se klientët e tyre po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim.

Avokati Driton Muharremi, mbrojtës i një prej të dyshuarve në skandalin në Byronë e Sigurimeve, e ka quajtur të kundërligjshëm mbajtjen e të pandehurve pas afatit 48-orësh të ndalimit.

Ai ka thënë se të pandehurit nuk kanë të drejtë të mbahen jashtë atij afati.

“Përveç që gjykata në Prizren dje kundërligjshëm vendosi t’i kthej ne Qendrën e Paraburgimit në Lipjan 35 të pandehurit (mesin e tyre një grua shtatzënë në muajin e 7 dhe një me trajtim onkologjik) për të cilët Prokuroria e Prizrenit kishte propozuar masën e Paraqitjes në Stacion Policor dhe ndalimi për t’iu afruar objektit të BSK dhe të pandehurve mes veti, tani kundërligjshëm po i mban edhe pas skadimit te afatit prej 48 orëve të ndalimit! Qendra paraburgimit në Lipjan në vend se t’i lirojë menjëherë këta 35 persona, po pret vendim prej gjyqtarit edhe pse e dinë që nuk kanë të drejtë asnjë minutë ma shume t’i mbajnë sepse shkelin te drejtët e tyre te garantuara!”, ka shkruar Muharremi.

Edhe Yll Zekaj, avokati i njërit prej të dyshuarve, ka thënë se me ndalimin e tyre po shkelet ligji dhe Kushtetuta.

“Ne Kosove ndodh qe Institucionet shkelin Kushtetuten dhe ligjin, si ne rastin e zyrtareve te Burgut te Lipjanit, duke pritur veprimin e nje institucioni tjeter ne kete rast Gjykates Themelore ne Prizren. Dje ne seance per vendosje lidhur me masen e sigurise per 39 personat e ndaluar ne rastin BKS, e cila filloi ne ora 16:00 ne dhe perfundoi ne ora 22:30, edhe pse Prokuroria per 35 te ndaluar kerkoi masen e paraqitjes ne stacionin policor, Gjykata ne vend se ti liroj menjehere me procesverbal, vendosi t’i ktheje ne ndalim (pa vendim te vecante), ne pritje qe aktvendimi per mase te merret jashte seances edhe pse gojarisht gjyqtari e tha qe vendimi do te merret sot ne ora 10:00. I vetmi vendim i ligjshem qe egziston deri tani ne kete rast eshte ai i ndalimit per 48 ore, i cili ka skaduar sot ne ora 10:00. Edhe pse vendimi ka skaduar qe 2 ore, 35 te ndaluarit jane duke u mbajtur ne menyre te kunderligjshme nga Burgu i Lipjanit, pa asnje vendim. Vetem ne Kosove ndodh qe nje institucion ta konsumoje vepren penale te privimit te kunderligjshem nga liria, si ne rastin e zyrtareve te Burgut te Lipjanit, ne pritje te vendimit te Gjykates se Prizrenit”, ka shkruar ai.

Të njëjtin pretendim e ka edhe avokatja Alberina Foniqi-Bojaj, gjithashtu mbrojtëse e njërit prej të dyshuarve.

“Në Kosovë, fatkeqësisht, vazhdojnë të ndodhin raste kur institucionet shtetërore veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. Një situatë e tillë po vërehet edhe në rastin e zyrtarëve të Burgut të Lipjanit, të cilët po i mbajnë personat e ndaluar në pritje të një vendimi nga një institucion tjetër, konkretisht nga Gjykata Themelore në Prizren. Gjatë seancës së mbajtur dje për caktimin e masës së sigurisë ndaj 39 personave të ndaluar në rastin BKS, e cila nisi rreth orës 16:00 dhe përfundoi rreth orës 22:30, Prokuroria kërkoi për 35 prej tyre masën e paraqitjes në stacion policor. Megjithatë, Gjykata nuk vendosi lirimin e tyre të menjëhershëm me procesverbal, por urdhëroi kthimin e tyre në ndalim, pa nxjerrë ndonjë vendim të veçantë, duke e shtyrë marrjen e aktvendimit për jashtë seancës. Edhe pse gjyqtari deklaroi gojarisht se vendimi do të merrej sot në orën 10:00, kjo nuk ka ndodhur ende”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Prokuroria Themelore në Prizren të premten ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër prej 39 të arrestuarve nën dyshimet për dallavere në Byronë Kosovare të Sigurimit. Kërkesa për paraburgim është bërë ndaj ish-drejtorit Sami Mazreku dhe ish-drejtorit të Financave në BKS, Valon Berisha. Po ashtu kërkesa për paraburgim është bërë edhe ndaj F.S. dhe Y.Ç.

Ndërkaq për 35 të tjerët është kërkuar që të caktohet masa e paraqitjes në stacion policor dhe t’u ndalohet t’i ofrohen vendit ose personit të caktuar.

Katër të dyshuarit dyshohen për “keqpërdorim të besimit”, “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në bashkëkryerje”, ndërsa Berisha me individë të tjerë dyshohen edhe për falsifikim të dokumenteve.

Shumica e të tjerëve dyshohen për ndihmë në falsifikim të dokumenteve./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika