LAJME

Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha

Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Dhjetor 2025, 16:25

Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale tejet komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 me 10 centimetra.

Sipas njoftimit, pacientja R.B., e lindur më 1974, kishte qenë më herët nën trajtim nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat më pas u vërtetua se ishin shkaktuar nga presioni i masës tumorale mbi zemrën, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj normal.

Pas kryerjes së ekzaminimeve të detajuara radiologjike dhe vlerësimeve të shumta mjekësore, ekipet shëndetësore vendosën që rasti të trajtohej përmes ndërhyrjes kirurgjikale.

Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës të klinikës.

Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja shëndetësore e pacientes pas operacionit është stabile, ndërsa ajo po vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor në përputhje me protokollet standarde të kujdesit post-operativ.

Nga QKUK theksohet se ky rast dëshmon nivelin profesional dhe kapacitetet e Klinikës së Kirurgjisë Torakale për trajtimin e rasteve të ndërlikuara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika