LAJME

MPB ndan informacione për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës lidhur me detyrimet ligjore të tyre

MPB ndan informacione për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës lidhur me detyrimet ligjore të tyre
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Janar 2026, 13:46

Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë një dokument udhëzues që informon shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.

“Të dashur vizitorë, mirësevini në Republikën e Kosovës! Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të obliguar të ju njoftojmë me të drejtat dhe obligimet për qytetarët e huaj e mysafirë në Republikën e Kosovës, për të bërë edhe qëndrimin tuaj në shtetin tonë më të lehtë e në përputhje me rregullat e ligjet e vendit tonë” – shkruan MPB.

– Sipas MPB-së, me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:

  • të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;
  • të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;
  • të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;
  • të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej 3 ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;
  • të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;
  • të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;
  • të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;
  • të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.

– Me rast të qëndrimit afatshkurtër:

  • I huaji mund të qëndrojë deri në 90 ditë brenda periudhës kohore prej 180 ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,
  • Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;
  • Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.

– Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:

  • kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;
  • kërkohet leje pune;
  • Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;
  • puna pa leje është e ndaluar.
  • Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.

– Qëndrimi për qëllime të tjera:

– Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:

  • pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe
  • plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.
  • Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.

– Pasoja në rast shkeljeje

Sipas MPB, atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:

  • anulimin e lejeqëndrimit,
  • shqiptimin e gjobës,
  • urdhërimin e largimit dhe
  • ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

“Për më shumë informacion, ju lutemi ti referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës” – thekson MPB.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika