Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Turqi ka takuar ministrin e Shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vernon Coaker.
Maqedonci, në një postim në Facebook, bën të ditur se homologut britanik i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin e rëndësishëm që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur përgjatë proceseve shtetformuese dhe forcimit të institucioneve të sigurisë e mbrojtjes së Kosovës.
“Diskutuam mbi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, duke vlerësuar partneritetin e deritanishëm në kuadër të misioneve të përbashkëta në Ishujt Falkland dhe Belize, si dhe kontributin në operacionin Interflex. Në frymën e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona mike dhe aleate, ritheksuam përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë trajnimet, zhvillimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërinë ushtarake, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e ndërkombëtar” – shkruan Maqedonci.