LAJME

Sindikata e Pavaruar e Minatorëve të Trepçës: Minatorët e Trepçës pa pagë të 13-të

Sindikata e Pavaruar e Minatorëve të Trepçës: Minatorët e Trepçës pa pagë të 13-të
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Prill 2026, 10:53

Tre ditë pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar dhënien e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, ka reaguar Sindikata e Pavaruar e Minatorëve të Trepçës, të cilët thonë se që nga viti 2016 minatorët nuk kanë pasur asnjë rritje page, e as pagë të 13-të.

Sipas Sindikatës, kjo kategori nuk përballet me trajtim të dinjitetshëm por vetëm me heshtje dhe harresë.

“Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, Trusti pensional nuk u paguhet minatorëve, dhe kur punëtorët e Trepçës kërkojnë drejtësi dhe ndihmë institucionale, nuk gjejnë mbështetje.

“Minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, e i dërmuar nga puna e rëndë. Dhe në vend që të gjejë mbështetje, ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti” – thekson Sindikata e Pavaruar e Minatorëve.

Sipas tyre, ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë dhe për këtë padrejtësi që zgjat shumë, siç e quajnë ata, kërkojnë nga Ministria e Ekonomisë dhe organet e tjera të marrin masa.

“U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika