Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë, ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet më 2 prill, ku në rend dite do të jenë shtatë projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ajo bëri të ditur se do të fillojnë procedurat për plotësimin e pozitave në institucionet e pavarura, përfshirë Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës.
“Janë edhe 33 pozita që duhet të plotësohen në 34 institucione të pavarura, e aty hyjnë edhe KPM-ja dhe RTK-ja,” deklaroi Haxhiu.
Duke folur për ekspozitën e fundit që nxiti reagime, ajo shprehu keqardhje për situatën e krijuar.
“Në raport për ekspozitën, më lejoni të shpreh keqardhjen tonë për atë që ka ndodhur. Na vjen keq për familjet, palët që janë prekur dhe qytetarët,” tha ajo.
Haxhiu paralajmëroi se Kuvendi do të ndërmarrë hapa për të shmangur raste të tilla në të ardhmen.
“Do të ndërmarrim hapa për ndryshim të rregullores, që të formojmë komisione të posaçme profesionale që vlerësojnë kërkesa të tilla,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se Kuvendi nuk ka qenë organizator i ekspozitës, duke sqaruar rolin e institucionit.
“Dua të ritheksoj se Kuvendi nuk e ka organizuar ekspozitën. Nën patronatin tim është organizuar ekspozita në hollin e Kuvendit më 6 mars, në nder të Epopesë së UÇK-së,” deklaroi Haxhiu.
Në fund, ajo iu përgjigj kritikave, duke thënë se disa prej tyre vijnë nga persona që nuk kanë qenë të pranishëm.
“Ata që sot linçojnë e më akuzojnë nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ekspozitë,” përfundoi ajo. /Telegrafi