Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri homazhe pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, në përkujtim dhe nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25-të të atyre sulmeve.
“Sot, para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme: 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë, por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se 441 prej viktimave, gati 15% të tyre, ishin reagues të parë, të cilët sakrifikuan jetën e vet për të shpëtuar qindra, ndoshta edhe mijëra, jetë të tjera.
“Vepra e këtyre heronjve, policëve e zjarrfikësve dhe jo vetëm, në atë ditë të errët, do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe të brezave të ardhshëm. Le të shërbejnë ata si shembuj të përhershëm për të gjithë ne, e në dalje të Muzeut Ground Zero, lash një shënim të thjeshtë para një viti: Memory lives, freedom wins, pra, Kujtesa jeton, liria fiton”, theksoi ai.
Kurti shtoi po ashtu se Kosova qëndron përkrah ShBA-ve, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është e palëkundur.
Ndërkaq, sipas raportimit të KosovaPress, Haxhiu, tha se dhimbja e 11 shtatorit kishte kaluar kufijtë e SHBA-së dhe se qytetarët e Kosovës e kishin përjetuar tragjedinë me një afërsi të veçantë.
“Sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhimbja megjithatë kaloi menjëherë kufijtë e saj. Në qytete anembanë botës, njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe e dërguan mesazhin ngushëllimi. Në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, u mblodhën tubime në marsh dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej “Amerikë jemi me ty”. Në shenjë solidaritetit me popullin amerikan, në atë ditë zie, Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, tha Haxhiu.