LAJME

Komuna e Prizrenit: Nga 10 gushti varrimet e reja vetëm në Landovicë, mungojnë hapësirat në varrezat ekzistuese

Komuna e Prizrenit: Nga 10 gushti varrimet e reja vetëm në Landovicë, mungojnë hapësirat në varrezat ekzistuese
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Gusht 2026, 07:57

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se, duke filluar nga 10 gushti 2026, të gjitha varrimet e reja do të zhvillohen në Varrezat e Reja në Landovicë, për shkak të mungesës së hapësirave të lira në Varrezat e Qytetit dhe ato të lagjes Arbana.

Sipas njoftimit zyrtar, institucionet përgjegjëse kanë konstatuar se në varrezat ekzistuese nuk është më e mundur të sigurohen vende të lira dhe të përshtatshme për varrime të reja. Komuna thekson se situata është bërë e jashtëzakonshme, ndërsa punonjësit përgjegjës janë përballur vazhdimisht me pretendime për vende të rezervuara, mosmarrëveshje mes familjarëve dhe presione që kanë krijuar rrezik për konflikte dhe pasoja juridike.

Në njoftim thuhet gjithashtu se dokumentacioni i Policisë së Kosovës përmban të dhëna për incidente dhe pretendime lidhur me uzurpimin apo shfrytëzimin e hapësirave publike brenda varrezave ekzistuese, çështje për të cilat janë ndërmarrë procedurat përkatëse.

Komuna bën të ditur se funksionalizimi i Varrezave të Reja në Landovicë ishte planifikuar për 21 gusht 2026, por për shkak të urgjencës së krijuar dhe pamundësisë për të vazhduar varrimet në lokacionet aktuale, është vendosur që shërbimet të nisin më herët.

Nga data 10 gusht 2026, në Varrezat e Qytetit të Prizrenit dhe në Varrezat e lagjes Arbana nuk do të realizohen më varrime të reja. Të gjitha ceremonitë e varrimit do të organizohen në kompleksin e ri të varrezave në Landovicë.

Komuna ka ngarkuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ekipin për menaxhimin e kontratës PPP dhe KRM “Ekoregjioni” që të koordinojnë të gjitha procedurat teknike, operative dhe organizative për pranimin dhe realizimin e varrimeve në lokacionin e ri. Ndërkohë, Policia e Kosovës është njoftuar për të siguruar koordinimin institucional dhe ruajtjen e rendit e sigurisë publike gjatë procesit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje bashkësive fetare, operatorëve të shërbimeve funerale dhe familjeve që, para organizimit të ceremonive të varrimit, të koordinohen me institucionet përgjegjëse, në mënyrë që procedurat të zhvillohen pa pengesa dhe me dinjitet.

Komuna e Prizrenit e cilëson këtë vendim si një masë të domosdoshme për të garantuar një proces të rregullt, të sigurt dhe dinjitoz të varrimeve, duke kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe të gjitha institucionet e përfshira.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika