LAJME

121 lokale të kontrolluara dhe 15 të arrestuar në aksionin e Policisë kundër trafikimit me njerëz

121 lokale të kontrolluara dhe 15 të arrestuar në aksionin e Policisë kundër trafikimit me njerëz
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Korrik 2026, 11:55

Policia e Kosovës ka kontrolluar 121 lokale në mbarë vendin, ka mbyllur 19 prej tyre për shkelje administrative dhe ka arrestuar 15 persona gjatë planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të zhvilluar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar nga 8 deri më 12 qershor 2026 në koordinim me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in dhe institucione të tjera vendore. Në kuadër të tij janë zhvilluar kontrolle në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, si dhe inspektime në lokale me muzikë live, qendra masazhi dhe aktivitete të eskortës.

Gjatë operacionit janë inspektuar 59 lokale me muzikë live, ku janë hasur 420 persona, prej tyre 186 shtetas të Kosovës dhe 234 shtetas të huaj. Gjashtë lokale kanë rezultuar të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera janë mbyllur për shkelje administrative.

Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë identifikuar 104 persona, ndërsa 10 prej tyre janë mbyllur për shkelje administrative.

Policia bëri të ditur se gjatë realizimit të planit nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore.

Megjithatë, janë evidentuar shtatë raste të lypjes me fëmijë, ku janë arrestuar shtatë gra. Trembëdhjetë fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, ndërsa janë iniciuar raste për dyshimin e veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

Në kuadër të operacionit janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, ku janë arrestuar tetë persona, përfshirë katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja.

Policia theksoi se të gjitha punëtoreve të hasura në lokalet me muzikë, qendrat e masazhit dhe aktivitetet e eskortës u është dhënë mundësia të deklarojnë nëse janë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit, por nuk është identifikuar asnjë rast i trafikimit me qenie njerëzore.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika