Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion të gjerë në bashkëpunim mes policisë dhe prokurorisë.
Nga ky operacion janë arrestuar disa persona të dyshimtë të përfshirë në falsifikim të dokumenteve.
Ky aksion kishte filluar në tetor të vitit të kaluar kur ishte zhvilluar për herë të parë, por nuk ishte bërë i ditur për shkak të hetimeve që po bëheshin në vazhdimësi.
Në konferencën e sotme për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës deklaruan se në kuadër të këtij aksioni është punuar vazhdimisht dhe sot janë ndërmarrë edhe hapa të tjerë.
Kurse kolonelja e Policisë së Kosovës, Florie Hajra deklaroi se në aksionin e sotëm, hetuesit nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me prokurorinë si dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtarë kanë realizuar operacionin e dytë ndaj dy grupeve kriminale të përfshirë në “Pjesëmarrje në grup kriminal”, në kontrabandë me emigrantë, falsifikim të dokumenteve.
“Operacioni i parë është realizuar vitin e kaluar me 28 tetor ku janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme kryesisht në rajonin e Prishtinës dhe janë arrestuar tre persona të dyshimtë.Ndërsa në operacionin e sotëm që ka filluar në orët e hershme të mëngjesit janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë ndaluar nëntë persona të dyshimtë.Gjatë kontrollimit të lokacioneve në të dy këto operacione janë gjetur punëtori, përkatësisht laboratorë ku shfrytëzoheshin për falsifikimi të dokumenteve, poashtu janë konfiskuar qindra dokumente të falsifikuara si pasaporta, kartela identifikimi, patent-shofer të falsifikuara të gjitha këto nga më shumë se 16 shtete të ndryshme kryesisht të vendeve të BE-së.Nga këto dy operacione janë arrestuar gjithsej 12 persona të dyshimtë të cilët gjenden në mbajtje, të tjerët në paraburgim”, tha ajo.
Nga ky aksion janë sekuestruar aparatura si dhe dokumente të falsifikuara dhe prova të tjera materiale.
“Të gjitha këto do të shkojnë për ekzaminim në agjencinë forenzike dhe ka një numër të konsiderueshëm që janë të shteteve të ndryshme të shteteve të BE-së”.