Vullnetarë të grupit “Vullnetarët kërkim – shpëtim” kanë dal mëngjesin e mërkurës në pikën kufitare në Vërmicë për të nderuar me nga një karafil të bardhë trupat e pajetë të mërgimtarëve që pritet të arrijnë në Kosovë.
Në aksidentin e së dielës (25.07.2021) në Kroaci mbetën të vdekur 10 bashkatdhetarë të cilët kishin marrë rrugën nga Frankfurti i Gjermanisë për tek më të dashurit e tyre në Kosovë.
Në nderim të tyre, grupi i vullnetarëve kërkim – shpëtim janë mobilizuar që të organizojnë një aksion simbolik në kufirin më Shqipërinë, ku pritet të hyjnë trupat e mërgimtarëve të vdekur.
Arbreshë Berisha, vullnetare në grupin “Vullnetarët kërkim – shpëtim”, tregon për KosovaPress se me të marrë lajmin se trupat e mërgimtarëve të vdekur në aksidentin e së dielës në Kroaci do të vijnë në Kosovë të mërkurën në mëngjes janë organizuar në nderim të tyre.
“Mbrëmë kuptuam që kufomat e tragjedisë që ndodhi në Kroaci do të arrijnë sot dhe kërkuam edhe prej qytetarëve që kushdo që ka dëshirë të na bashkëngjitet me një simbolikë, me të cilën do t’i nderojmë trupat e pajetë, me një karafil të bardhë t’iu themi lamtumirën e fundit”, thotë ajo.
Ajo uron që familjet e atyre që humbën jetën ta kalojnë sa më lehtë dhimbjen e madhe për më të dashurit e tyre, teksa uron që aksidente të tilla të mos ndodhin më kurrë.
“Familjarët ta kalojnë sa ma lehtë këtë dhimbje e të lënduarve shërim të shpejt. Urojmë të mos ketë më raste tjera si kjo që ndodhi së fundmi”, shprehet ajo.
Sa i përket organizimit, ajo bënë të ditur se nuk kanë pasur asnjë problem, teksa paralajmëron një aksion tjetër.
“Nuk kemi pasur asnjë problem[…] Ka qenë edhe një iniciativë për me pastru, pasi siç shihet edhe në kamerë është vendi i papastër, por kjo mbetet për ditët në vijim”, thotë ajo.
Trupat e mërgimtarëve që humbën jetën në aksionin tragjik mëngjesin e së dielës në Kroaci pritet që sot të vijnë në Kosovë. Ndërkaq ende nuk dihet nëse do të dërgohen fillimisht në morg në Prishtinë apo do të dërgohen tek familjarët e tyre për t’u varrosur.