Ligji për Pagat në Sektorin Publik me shumë gjasë do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Deri tani, në adresë të Institucionit të Avokatit të Popullit kanë shkuar 10 kërkesa të tilla. Për kompetencat e Avokatit të Popullit në këtë rast dhe nenet që mund t’i anulojë Kushtetuesja, kanë folur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Në mbledhjen e djeshme, kryeministri Albin Kurti tha se është vendosur që vlera e koeficientit të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 për vitin 2024.
Nga kjo vlerë e koeficientit, u prekën më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, do të marrin pagë shumë më të ulët. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), atyre u janë ulur pagat për 25 përqind.
Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor kanë kërkuar menjëherë nga Avokati i Popullit që ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
Nga KGJK kanë thënë se ky ligj dhe vendimi i Qeverisë për koeficientin paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.
Por, KPK e KGJK s’janë të vetmet që janë ankuar për këtë ligj.
Petrit Çollaku nga Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë Gazetës Express se deri tash kanë pranuar dhjetë ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik.
Përveç Këshillit Prokurorial, ankesa kanë dorëzuar edhe auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, dhe mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 10 (dhjetë) ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, dhe mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka deklaruar Çollaku.
Ai ka theksuar se Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, ky insititucion do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje.