Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj njëzetetre (23) të pandehurve, pas kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren, lidhur me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë krimet kundër të drejtës së votimit, kanosjen, marrjen dhe dhënien e ryshfetit.
Sipas njoftimit të Gjykatës në Prizren, gjatë ditës së djeshme janë mbajtur katër (4) seanca dëgjimore, në të cilat gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vendosur si vijon:
Ndaj njëzetenjë (21) të pandehurve – O.Sh., V.B., A.K., B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A.D., B.B., D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V. dhe M.J. – është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 23 shkurt 2026. Ata dyshohen se, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.





