Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës kanë organizuar sot një protestë para Qeverisë së Kosovës, me kërkesa për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe kthimin e tyre në vendet e punës.
Ata thonë se qe dy vjet kanë mbetur pa punë, ndërsa kanë kaluar më shumë se 12 muaj pa marrë asnjë paga, gjë e cila ua ka rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë, Shkumbin Goçi ka tentuar të takohet me zyrtarët nga Qeveria e Kosovës, por ai tregon se një gjë e tillë ishte e pamundur.
“Prej formimit të qeverisë kemi tentuar disa herë të takohemi me ministrin, kemi dërguar shkresa, kërkesa fizikisht, kemi dërguar edhe përmes e-mail, kemi tentuar të kontaktojmë dhe përmes telefonit. Kemi ardhur edhe fizikisht disa herë, nuk kanë pranuar që të takohen. Edhe sot kërkova që të takohen, më thanë që janë në rishikim të buxhetit edhe nuk kanë kohë me u taku me juve”, tha ai.
Ai tha se do të dalin çdo ditë në rrugë të kërkojnë të drejtat e tyre, meqë gati 70 familje janë shkatërruar ekonomikisht.
Edhe Ibadete Hasani, dikur punëtore në Lotarinë e Kosovës, ka shprehur pakënaqësitë e saj, duke shtuar se durimit të tyre u ka ardhur fundi.
“Ne më 10 maj 2019 jemi të pezulluar dhe kanë kaluar pothuajse dy vjet edhe asgjë nuk kanë marrë asnjë hap. Nuk kërkojmë asgjë më tepër, vetëm miratimin e ligjit dhe pagat. Kanë kaluar një vit prej kur nuk ka pasur as paga. Duke e marrë parasysh edhe pandemia, punëtorët janë në hall të madh. Shkaqet ekonomike do të thotë na takon… Është e tepërt durimin pothuajse i ka ardhur fundi, duke pritur. Para zgjedhjeve premtime, pas zgjedhjeve neglizhim total për Lotarinë e Kosovës”, tha ajo.
Ajo shton se kanë dërguar shumë kërkesa në adresë të ekzekutivit, por që shumë prej tyre as nuk janë hapur.
Për këto vështirësi flet edhe Zijadin Ramadani, i cili tregon se ai është i shqetësuar për gjendjen e tij të rëndë ekonomike.
“Edhe një vit dal në pension dhe nuk kemi kurrfarë të drejt. Kjo nuk është e mirë as për shtetin, as për neve. Kemi kredi, absolutisht nuk ka dëgjuar askush për ne. Deri në momentin e fundit do të jem këtu”, ka thënë Ramadani për KosovaPress.
Pjesë e protestës ishte edhe Shkëlzen Morina nga Gjakova, i cili ka punuar më shumë se tri dekada në Lotarinë e Kosovës. Ai tha se nga qeveria po kërkojnë punë dhe jo lëmoshë.
“Kemi mbetur shumë keq, kemi familje. Jemi në prag të ekzistencës elementare për jetesë. Ne do të dalim prapë këtu, qeveria nuk pranoi të bisedojë. Ne do të dalim çdo ditë derisa të na plotësohen kushtet. Ligji është miratuar, andaj Kuvendi duhet ta miratojë. Nuk jemi duke kërkuar lëmoshë, por punë”, u shpreh ai.
Para dy vjetësh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin, sipas të cilit mbyllen të gjitha lojërat e fatit në tërë Kosovën, përfshirë lojërat që organizohen nga Lotaria e Kosovës. Ligji ka hyrë në fuqi më 10 maj 2019 dhe nga ajo datë janë pezulluar të gjitha lojërat e fatit të lotarisë deri në miratimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovës.