Auto-taksitë që operojnë në Aeroportin “Adem Jashari” janë të rrezikuar me jetë nga taksistët ilegal.
Për këtë taksitë që punojnë brenda hapësirës së aeroportit akuzojnë institucionet e rendit për mos veprim përkundër që janë taksa pagues të aeroportit dhe komunës së Lipjanit.
Për këtë situatë, rreth 100 auto-taksi kanë mbajtur një protestë një orësh në shenjë pakënaqësie për mos krijimin e kushteve të punës.
Meqan Balaj përfaqësues i bordit të drejtorëve të shoqërisë aksionare ‘Ulpiana” SH.P.K. thekson se janë të rrezikuar nga persona që punojnë ilegalisht dhe futen në aeroport.
Teksa shton se në ditët e fundit një koleg i tij është plagosur me armë të ftohtë nga një sulmues ilegal.
Balaj: Para dy dite është sulmuar me thikë një kolegë i yni
“Jo më shumë se para dy ditësh është plagosur taksisti ynë me thikë nga një taksist ilegal duke mbrojtur të drejtën e vet. Taksistët ilegal janë bërë agresiv, të cilët sulmojnë fizikisht taksistët tanë. Policia nuk ka marrë asnjë hap, shteti nuk ka vënë drejtësi”, thekson Balaj.
Në përkrahje të protestës ishte edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës(SPSPK) në bashkëpunim me Shoqatën Sindikale të Auto-Taksive që operojnë në ANP “Adem Jashari”.
Kryetari i SPSPK Jusuf Azemi theksoi se për shkak të mos intervenimit të organeve të rendit, është marrë vendim që auto-taksitë ta marrin situatën vet në dorë për konfrontim me ilegalët, ani se nuk është ligjore.
Azemi: Auto-taksitë do të konfrontohen në mënyrë fizike
“Është marrë vendim meqë institucionet shtetërore nuk po krijojnë kushte për auto-taksitë e aeroportit, është marr vendim që pas pesë ditësh një grup i auto taksive do të punojnë dhe grupi tjetër do të ruajnë ambientin ose do të ballafaqohen me auto-taksitë ilegal. Kjo do të thotë që auto-taksitë do të konfrontohen në mënyrë fizike për shkak të mos intervenimit të shtetit. Është një vendim jo i mirë, por megjithatë është i imponuar. Për këtë problem janë të njoftuar që nga ministri i Punëve të Brendshme e deri te komuna Lipjanit dhe të gjitha institucionet. Nuk ka lëvizje dhe tanimë auto-taksitë do ta marrin situatën në dorën e vet sa do që nuk është ligjore”, theksoi Azemi.
Përveç sigurisë, Meqan Balaj po akuzon aeroportin edhe për vjedhje të taksive.
Balaj: Na vjedh aeroporti në mënyrë arbitrare ose në mënyrë të imponuar
“Na vjedhin taksitë ilegal dhe na kërcënojnë jetën. Na vjedh aeroporti në mënyrë arbitrare ose në mënyrë të imponuar. Pra, ose të paguani nga 60 euro secili taksistë ose nuk futeni fare në parking. Faktikisht ne e shfrytëzojmë parkingun 15 ditë dhe si shoqëri aksionare që kemi kontratë me aeroportin ne e shfrytëzojmë parkingun me 50 taksi paguajmë me 6 mijë euro në muaj. Kështu që kjo është zhvatje e madhe për xhepin e secilit taksist. Mezi arrijmë të sigurojmë bukën e gojës”, theksoi ai.
Drejtues të sindikatës së Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, theksuan po ashtu se dy muaj më parë i kanë adresuar kërkesat e tyre në policinë e aeroportit, por që deri tash nuk është marrë asnjë veprim.