Sot, shënohet 25-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe. 25 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës.
Më 24 mars bëhen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Mes dilemash dhe kundërshtimesh nga Kina dhe Rusia, atëbotë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999, në orën 22:17, urdhëroi një sulm ajror mbi Republikën Federale të Jugosllavisë.
Arsyetimi, në Serbi nuk ka gatishmëri për zgjidhje politike të krizës së Kosovës.
Sulmet ajrore nisën pa aprovimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vendimi për bombardim u ndërmor pas refuzimit të asokohe presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, që të zgjidhej politikisht kriza e Kosovës.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.
Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.