- Reklama -

Zhurianët ndër shekuj: Që nga Beteja e Lumës, trashëgimtarë të rezistencës dhe trimërisë

Në krahun e majtë të brigjeve të Drilonit të lashtë, zënë fill shtëpitë e para të Zhurit, apo në pjesën më të skajshme të Lumës së Tërthores. Kjo fole trimash, që nga lashtësia njihet si djep i artit luftarak, prandaj pushtuesit duke e njohur këtë traditë të trashëguar, nuk e lanë këtë fshat të frymonte i lirë dhe ngritën stacion policor, që nga lashtësia. Një stacion i tillë ishte vendosur në Qafë të Zhurit që në kohën e Perandorisë Romake.

Sipas të dhënave historike, vendbanimi i vjetër i Zhurit njihet që nga shekulli i II – III para e.s. Ky fshat dikur shtrihej në pjesën veriperëndimore të fshatit të sotëm, ku gjenden edhe gjurmët e varrezave të vjetra të këtij vendbanimi. Interesimi për Lumën si krahinë, por edhe për Zhurin si pjesë e kësaj krahine, është i hershëm dhe, gjithsesi, të parët studiues që shkelën tokën e Zhurit ishin hulumtuesit e huaj. Studimet e tyre kanë të dhëna nga më të ndryshmet, mbi natyrën, mbi luftërat dhe specifikat e trashëgimisë kulturore, në veçanti të atyre shpirtërore siç janë vallet dhe lojërat e shumta popullore.

- Reklama -
(PETRITI i SHKREPAVE Remzi Ademaj, Hero i Kombit) Prof: Nexhat Çoçaj

Ndërsa kohëve të fundit është intensifikuar edhe interesimi i studiuesve shqiptarë, por ende nuk është arritur që të shkruhet një monografi e plotë për këtë vendbanim karakteristik për shumë specifika të veçanta. Territori i Tërthores së Lumës, pos fshatrave të Lumës që shtrihen në territorin administrativ të Shqipërisë, i përfshin edhe shtatë fshatra të Kosovës: Vërmica, Shkoza, Dobrushti, Zhuri, Maradema, Vlashnja dhe Kobaja (shën. ynë). Tërthorja shtrihet në mes shpateve të Koretnikut dhe luginës së Drinit të Bardhë.
Si nënkrahinë, Tërthorja fillon nga ujërat e lumit Luma dhe përfundon në derdhjen e gurrës së Poslishtit, përkatësisht në Vlashnje. Sot Zhuri me një sipërfaqe prej 4021 hektarë, shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës, përkatësisht në kilometrin e 12 të magjistrales Prizren – Kukës.

Në dëshmitë e shkruara, emri i fshatit më verior të Krahinës së Lumës, Zhur, përmendet në dokumente, së pari, në vitin 1331. Ndërkaq, studiuesi i njohur austriak Shuflaj shkruan edhe për zhvillimin e bletarisë në Zhur dhe shton:
”Në vitin 1331 bletishtja e mbretit në Zhur bashkë me bletarin lëvizin në një livadh afër fshatit Dobrushtë”
Emri i fshatit Zhur është emërtim vendas, mbështetur në përbërjen e tokës, gjegjësisht rërës Ndërsa origjina e emërvendit rrjedh nga gjuha shqipe, që ka kuptimin e rërës ose gurëve të vegjël. Me emrin Gjur, vendbanimi i sotëm Zhur është i regjistruar në një hartë austriake, që përforcon edhe më shumë bindjen se ky emërvend është krijuar në pajtim me rregullat e fonetikës historike të shqipes.

Se emri i fshatit Zhur i takon shqipes, dëshmon edhe fakti se këtë emër e hasim edhe në Shqipërinë e Mesme, përkatësisht në afërsi të Rrogozhinës ku gjendet një toponim me emrin Bishti i Zhurit, nëpër të cilin vendbanim kalon rruga për në Elbasan, që për nga pamja dhe largësia e ujit është shumë i ngjashëm me Zhurin e Kosovës. Po sipas të dhënave që i kanë ofruar studiuesit që janë marrë me studimin e këtij vendbanimi, flasin se banorët e Zhurit gjatë të kaluarës janë marrë kryesisht me prodhime bujqësore, ku janë kultivuar të gjitha prodhimet, por është kultivuar mjaft edhe vreshtaria dhe bletaria.

Sipas dëshmive të shkruara, në vitin 1326 në Zhur funksiononte një shtrydhëse vaji,12 që më së miri flet se tokat e këtij fshati ishin të pëlleshme dhe të begata. Sa i përket popullsisë së këtij fshati, ka shumë të dhëna, por gjithsesi të dhënat e para për numrin e banorëve deri më tash konsiderohen ato të vitit 1451/52 sipas regjistrimit osman të Rumelisë, ku në këtë vit Zhuri kishte 19 shtëpi. Ndërsa në regjistrimin e Sanxhakut të Prizrenit në vitin 1530, Zhuri kishte 18 shtëpi dhe 3 beqarë.13 Ndërkaq, në regjistrimet e vitit 1571 figuron se Zhuri kishte 16 shtëpi të besimit të krishterë, kurse në vitin 1591 kishte vetëm 10 shtëpi të krishtera.14

Për banorët e këtij vendbanimi, frika s’kishte vend, vdekjet në vija të frontit ishin vdekjet më të preferuara dhe falë kësaj gatishmërie toka e këtij vendbanimi nuk duronte këmbën e sunduesve grabitqarë. Në periudhat e luftërave të lavdishme të Skënderbeut, edhe luftëtarët zhurjanë ishin të rreshtuar në vijat e fronteve të suksesshme, prandaj osmanët në shenjë hakmarrjeje filluan ndëshkimet ndaj popullatës së Zhurit,15 por asnjëherë nuk mundën ta nënshtrojnë këtë vatër të zjarrtë të atdhedashurisë. Për t’i shpëtuar shfarosjes kolektive, banorët e Zhurit disa herë në historinë e tij u desh që të zhvendoseshin
Nuk kishte sundues, që nga këto vendbanime nuk u larguan me humbje të mëdha.

Fuqia dhe gatishmëria e zhurjanëve për të qenë në shërbim të mbrojtjes së tokës së tyre dhe atdheut, qëndronte në themelet e familjes, që jo rrallë herë familjet e këtij fshati numëronin deri në njëqind anëtarë. Epoka e shndritshme e Zhurit do të rinisë në periudhën më të lavdishme të shekullit XIX, përkatësisht në kohën e Lidhjes Shqiptare, ku, gjithsesi, kontributi i luftëtarëve të kësaj ane do të jetë shumë i madh në avancimin dhe përhapjen e ideve të LSHP në të gjitha trojet shqiptare. Se Zhuri ishte vatër e luftërave kundër Perandorisë Osmane, dëshmon edhe fakti se më 27 gusht të vitit 1878, kur atdhetari Ramadan Zaskoku, pas atentatit që bëri mbi telegrafin e Mehmet Ali Pashës, së bashku me dy shokë të tij (pjesëtarë të ushtrisë së LSHP), për të mos rënë në duar të osmanlinjve, u largua nga Prizreni dhe u strehua në Zhur, konkretisht në konakun e familjes Ademaj.

Kulla e Rexhë Ademit, tanimë kishte bërë emër në gjithë Veriun e Shqipërisë, sepse në këtë kullë me dy hyrje, kishin gjetur konak shumë atdhetarë. Rexhë Ademi ishte bashkëkohanik me Ali Zhurin, me të cilin pos që ishin të një familjeje (Ademaj), kishin të përbashkët edhe idealet e tyre. Rexhë Ademi, që ishte përafërsisht dhjetë vite me i moshuar se Ali Zhuri, ishte dëshmuar si kryeplak i fshatit dhe pritës e përcjellës besnik i atdhetarëve, të cilët para LSHP nisën të gjejnë strehë në këtë fshat. 17 Një epokë tjetër, gjithashtu e lavdishme e banorëve të Zhurit, janë edhe luftërat kundër shovinistëve serbo-sllavë, luftëra që nisin që nga viti 1912 e deri në mbyllje të shekullit XX, pra deri më 1999. Statusi politik i shqiptarëve në Kosovë nën sundimin e egër serb u keqësua shumë më tepër se në sundimin osman,18 andaj si për të gjithë shqiptarët edhe për banorët e Zhurit jeta u bë edhe më e rëndë dhe së këndejmi u shtua edhe nevoja për luftë dhe angazhim kombëtar.

Kontributi i luftëtarëve të Zhurit do të jetë shumë i madh në të gjitha betejat që janë zhvilluar kundër ushtrisë serbe gjatë shtrirjes së autoritetit të Banovinës së Vardarit, por më pas edhe gjatë kohës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1918). Përkundër përpjekjeve të forcave turke që ta çarmatoste popullin shqiptar, pothuaj se nuk kishte mbetur kullë pa një pushkë, ndërsa shumë të tjera, duke parë se si po fryjnë erërat, u shndërruan në punëtori armësh e municioni. Në këtë mënyrë, tetori i vitit 1912 zhurjanët, sikurse gjithë liridashësit e Kosovës, i gjeti të përgatitur për luftë, që zgjati me muaj. Beteja e Kullë Lumës ishte edhe kontribut i drejtpërdrejtë edhe i luftërave të Zhurit, që ishin në ballë të aksionit në Qafë të Zhurit, sipas strategjisë luftarake të planifikuar e projektuar nga luftëtarët e lirisë.19 Sipas studiuesve që e kanë analizuar fitoren e Kullë Lumës, mbyllja e Qafës së Zhurit nga forcat shqiptare ishte kurthi i parë ku ushtria serbe ra pre e këtyre luftimeve.

Por, Zhuri as luftën e përgjakshme të vitit 1912 nuk e kaloi pa ia dhënë atdheut bijtë më të mirë që i pati. Ushtria serbe në shenjë hakmarrjeje për humbjet e mëdha që pësoi në luftën e 14-17 nëntorit 1912, në muajt shtator – tetor 1913 ndërmori një valë të re masakrimesh mbi popullatën shqiptare të rrethit të Zhurit. Të gjitha këtyre masakrave mbi popullatën e Lumës, u printe gjenerali shovinist serb Stojan Dajiqiq. Mirëpo, beteja tjetër që sërish do t’i gjakoste forcat serbe do të ndodhte më 14 mars 1914,22 kur në befasi sulmohen forcat armike, duke u shkaktuar humbje të mëdha. Beteja e Zhurit në shkurt të vitit 1915, e projektuar dhe e drejtuar nga Hasan Prishtina dhe nga bashkëluftëtarët e tij nga Zhuri, do të mbetet ndër betejat më të lavdishme të fshatit gjatë luftërave të shumta kundër pushtuesve serbë, para pushtimit nga Austro-Hungaria. Për këtë betejë, kushtrimin për t’iu bashkuar Hasan Prishtinës e dhanë atdhetarët Asllan Rexhë Ademaj, Mulla Nasuf Zhuri, Dan Gavazi.

Në betejën e 23 shkurtit 1915, u likuidua pothuaj se në tërësi garnizoni i ushtrisë serbe. Trimëri të veçantë treguan edhe gratë e Zhurit, njëra prej të cilave me sopatë i vrau shtatë ushtarë serbë të fshehur nën kosh. Por, pas kësaj beteje, popullata e Zhurit dhe e rrethinës u detyruan që për tre muaj të zhvendoseshin në fshatrat e Lumës në Shqipëri, për t’i shpëtuar shfarosjes masive. Pas kthimit krejt të popullatës së zhvendosur në qershor 1915, deri në tetor të këtij viti, shumë familje kishin lënë nga një mashkull në familjet ku ishin strehuar në Shqipëri, sepse nuk i besonin amnistisë së regjimit serb, që flitej se ishte dhënë për të gjithë banorët e zhvendosur. Ushtria shoviniste serbe u tërhoq nga fshatrat e Lumës, pasi Bullgaria i shpalli luftë Serbisë dhe kështu Zhuri dhe viset kufitare në përgjithësi ndërruan pushtuesin.

 

Vendin e pushtuesve serbë në vjeshtën e vitit 1915 e zunë pushtuesit bullgarë, të cilët në mars të vitit 1917 u zëvendësuan me pushtuesit austro-hungarezë. Në kohën e pushtimit të Zhurit nga Austro-Hungaria, pos shkollës triklasëshe në gjuhën shqipe, ku i vijonin mësimet fëmijët e këtij fshati prej 7 deri në 12 vjeç, ndikim në edukimin e popullatës pati edhe vijimi i kursit të gjuhës gjermane nga disa intelektualë të fshatit, shumë prej të cilëve më pas u dëshmuan si njohës të mirë të gjuhës gjermane.

Në fund të tetorit 1918, Zhuri përkundër shumë përparimeve që i kish përjetuar, sërish u pushtua nga pushtuesit serbë. Edhe pse Zhuri, si pjesa më e skajshme e jugperëndimit të Kosovës, pushtuesi serb nuk e la anash pa e përfshirë edhe këtë pjesë në vendbanimet e përzgjedhura për t’i vendosur kolonët serbë. Sipas dëshmive historike, në fshatin Zhur kolonët e parë u vendosën në vitin 1931 e pastaj vendosja e tyre vazhdoi më 1934, 1935, 1937 dhe më 1938.

 

Gjatë kësaj periudhe u vendosën në Zhur 6 familje, që të gjitha serbe, me gjithsej 29 anëtarë, ndërsa pushteti okupues për këto familje ua mori me dhunë banorëve tokat e punës dhe ua ndau kolonëve 67.43 ha tokë të klasës të parë për punë.27 “Bashkëjetesa” e kolonëve serbë me banorët e Zhurit do të reflektohet më pas në shumë ndjekje dhe maltretime, pas riokupimit të Kosovës (1945), ku pothuaj se të gjitha familjet shqiptare që u ishin uzurpuar pronat për këta kolonë u vunë për herë të dytë në shënjestër, meqë pistë e parë e shënjestrave të këtyre familjeve ishin para vendosjes së Austro-Hungarisë në Zhur.

Marenglen Verli, ndryshe nga studiuesit e tjerë shqiptarë, çështjen e kolonizimit të tokave shqiptare me serbë e sheh si përpjekje të qarqeve serbe e malaziase që nga viti 1913-1915, kohë kjo kur nën zgjedhën e Serbisë dhe të Malit të Zi u futën 900 mijë shqiptarë. Në këtë mënyrë, rrugën për ta shtuar sipërfaqen e tokës për kolonizim e zgjeruan edhe konfiskimet mbi bazën e motiveve politike, të cilat filluan të aplikohen së pari ndaj atyre shqiptarëve që u treguan aktivë në kundërshtimin e pushtimit serb e malazias.

Por edhe pas riokupimit të Kosovës nga Serbia, Komisionit Krahinor, përkatësisht Ministrisë së kolonizimit të RFPJ-së në bazë të vendimit nr. 313/45, në shkurt të vitit 1946 një familje serbe me pesë anëtarë, i kërkon që sërish të vendoset në fshatin Zhur dhe për kompensim kërkon hiq më pak se 9,47 ha tokë të punës,30 të cilës familje, vetëm që të kthehet, pushteti serb i ofron pothuaj dyfishin e tokës që ka kërkuar, 17.13 ha tokë pune, vetëm e vetëm që të vendoset në Zhur.31 Edhe Lufta e Dytë Botërore për banorët e fshatit Zhur do të jetë e kobshme, ngase 13 burra nga Zhuri do të vriten nga çetnikët serbo– malazias, pasi zihen si ushtarë të ashtuquajtur “SS”.

Në mesin e këtyre të vrarëve apo të zhdukurve janë: Hamit Ademaj (xhaxhai i Remzi Ademajt), Hysni Omaj, Rizan Ademaj, Rizan Nasufaj, Shashivar Begaj, Qerim Elezkurtaj, Mestan Susuri, Idriz Badallaj, Shyqeri Ademaj, Bajram Vezaj, Rizan Qilingeri dhe dy të tjerë, emrat e të cilëve nuk dihen. Por, sipas dëshmive të personave që i kanë shpëtuar masakrës së Tivarit, vetëm nga Zhuri janë rekrutuar 80 veta, 26 nga Vërmica, ndërsa nga Dobrushti, Shkoza dhe Vërmica nga 10 veta.33 Në një shënim të komandant Remzi Ademajt, në lidhje me disa nga këto luftëra të përgjakshme, mes tjerash shkruante se zhurjanët, sikurse edhe i gjithë populli shqiptar, kishin arsye të luftonin kundër pushtuesit serb, sepse kishin përjetuar shumë masakra.

“Pas masakrës së Dubrushtit, të ndodhur në vitin 1912 dhe pas masakrës së Zhurit të vitit 1915, viti 1989 njihet si viti më tragjik për banorët e Zhurit, ngase ekspedita policore e Beogradit më 28 mars të këtij viti rreth orës 9:00, pa asnjë arsye dhe pa marrë leje nga qendra e Sigurimit në Prizren, kanë përdorur armët e zjarrit mbi masën e tubuar të fshatit, që kanë organizuar protestë kundër pushtetit serbo-sllav që po e suprimonte Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Me këtë rast, nga armët e shovinistëve serbë mbesin të vdekur Hajrim Badallaj 11 vjeçar, nxënës i shkollës së Zhurit, Xhylbehar Badallaj 19 vjeçar dhe Xhymshit Badallaj 24 vjeçar.

Po nga këto armë të serbo-sllavëve në këtë protestë plagosen rëndë e lehtë edhe 21 banorë të fshatit.34 Në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës fshati Zhur me banorët e vet dha kontribut të madh për çlirimin e Kosovës. Në këtë fshat fillimisht gjetën strehim themeluesit e parë të UÇK-së e më pas edhe udhëheqësit e njësiteve e të aksioneve të kësaj ushtrie të lavdishme, për t’iu bashkuar më pas kësaj ushtrie djemtë më të mirë të këtij vendi. Zhuri në luftën e UÇK-së nxori komandantin e parë të Zonës Operative të Pashtrikut, tani hero i Kosovës, komandant Remzi Ademaj – Petrit Kodra, si dhe dha edhe tre dëshmorë të kombit: Behamir Memaj, Feriz Susuri dhe Mevlan Hoxhaj.

Nga fshati Zhur në radhët e UÇK-së u rreshtuan 152 djem e vajza, të cilët deri në çlirimin e vendit luftuan në të gjitha vijat e frontit në Pashtrik e në Koshare, në Koretnik e Luboten, në Karadak e në Gjeravicë, me një fjalë, gjithkund ku e kërkonte nevoja. Gjatë luftimeve të ashpra kundër okupatorit u plagosën 15 ushtarë të UÇK-së. Por, fshati Zhur gjatë luftës përjetoi edhe zhvendosjen kolektive të popullatës, ku më 28 mars 1999, qe i detyruar që popullata e pambrojtur t’i lëshojnë vatrat e tyre, me qëllim që t’i shpëtojnë më të keqes. Gjatë ditëve të luftës, çetnikët serbë dogjën 180 ndërtesa, prej tyre 120 ndërtesa banimi, mbi 200 u rrënuan, ndërsa po kaq u plaçkitën nga shovinistët serbë.35 Flakës së luftës nuk i shpëtuan as mjetet bujqësore si dhe blegtoria e fshatit, që konsiderohej një dëm i madh. Së këndejmi del se historia e re e popullit shqiptar do të ishte e varfër, pa përfshirjen e historisë së Zhurit, që mbajti gjallë vrullin e krenarisë për çlirim e bashkim kombëtar.

Të dhëna këto të marrura nga Libri i profesorit të nderuar, Nexhat Çoçaj (
PETRITI i SHKREPAVE Remzi Ademaj, Hero i Kombit )

(Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës 18 (Prizren), Prishtinë 2006 )
4 Po aty, fq. 265. 5 Ne mesin e këtyre studiuesve të huaj, që në punimet e tyre sado pak kanë bërë fjalë për Zhurin, mund t’i veçoj: A. Boue, M. Shufllaj, J. Cvijiq, F. Nopça, E. Durham etj. 6 Xhafer Kovaçi, Tërthorja, Kukës, 2006, fq. 7. 7 Murat Ajazaj, Disa të dhëna mbi Zhurin, botuar në librin “Vitet e qëndresës” të autorit Skënder Susuri, Zhur, 2007, fq. 31. 8 Shefqet Hoxha, Gjurmime Onomastike në Lumë, Tiranë 2005, fq. 142. 9 Milan Shufllaj, Serbët dhe shqiptarët, Tiranë 2002, fq. 44. 10 Shefqet Hoxha, po aty
11 Jusuf Osmani,Vendbanimet e Kosovës 18 (Prizren), Prishtinë 2006, fq. 266. 12 Jusuf Osmani, po aty, fq. 266. 13 Jusuf Osmani, po aty, fq. 266. 14 Murat Ajazaj, punim i cituar, fq. 34. 15 Po aty, fq. 38.etj...
- Reklama -
Klikoni Këtu për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Më të lexuarat

Policia jep detaje për trupin e pajetë të 26 vjecarit nga Prizreni të gjetur sot tek “Drini i bardhë”

Është gjetur pa shenja jete 26-vjeçari në Prizren, i...

Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS)...

Trump mbylli Zërin e Amerikës, Biberaj: “Kapitull i trishtë”

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dje një urdhër për...

Punime në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prizren, nesër do të ndërpritet furnizimi me ujë në këto zona

KRU "Hidroregjioni Jugor" në Prizren ka njoftuar se për...

Vendet nga komuna e Prizrenit ku nesër do të ketë mungesë të energjisë elektrike

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS)...

Të ngjajshme

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort