LAJME

Zbulohet murali “Çast” në qendër të Suharekës, kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Zbulohet murali “Çast” në qendër të Suharekës, kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Qershor 2026, 15:36

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në zbulimin e muralit “Çast” në Suharekë (Therandë), kushtuar të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo theksoi se në Kosovë, shumë të vërteta janë shfaqur së pari në mure: thirrjet për liri, fotografitë e të pagjeturve, grafite të ndryshme. Sipas saj, prej sot, në një hapësirë në qendër të Therandës është edhe e vërteta e atyre që për shumë gjatë u detyruan ta bartin dhimbjen në heshtje.

“Kjo nuk është vetëm çështje e së kaluarës. Është çështje drejtësie, dinjiteti dhe përgjegjësie shtetërore. Drejtësia nis edhe në çastin kur i mbijetuari dëgjohet pa dyshim, kur ruhet privatësia dhe kur shteti i bëhet mbështetje.” – u shpreh Haxhiu në Facebook.

Ajo falënderoi ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Fondacionin Jahjaga, Komunën, artistët dhe të gjithë ata që e bënë të mundur këtë mural.

“Murali ‘Çast’ nuk e zëvendëson drejtësinë por e vendos të vërtetën në vendin ku nuk mund të anashkalohet lehtë, para syve tanë. Kështu kultivohet kujtesa jonë kolektive. Kush kalon pranë tij, le ta dijë se këtu nderohen njerëz që nuk duhet të ishin lënë kurrë vetëm.” – theksoi ajo.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika