Gjykata Speciale edhe me tej vazhdon të jetë shpresa vetme e familjarëve të ish-anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të vrarë në rrethana të pasqaruara.Se Specialja do të merret me zbulimin e të vërtetës për ish-zyrtarët e vrarë të LDK-së, këtë e bënë edhe më të fortë pasi ky subjekt përmendet shumë herë në aktakuzën e publikuar ditë më parë nga Dhomat e kësaj gjykate.
Aktakuza e publikuar nga Dhomat e Specializuara e cila ka 69 faqe, përmenden raste të ndryshme për të cilët ish-krerët e UÇK-së po akuzohen nga Gjykata Speciale. Madje përmenden edhe anëtarë e përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët thuhet se janë torturuar e frikësuar nga ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Lidhur më këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar njohës të rrethanave politike, dhe të çështjeve juridike në vend.Analistët konsiderojnë se gjykata do të merret ekskluzivisht edhe me vrasjet e pasluftës, kryesisht të aktivistëve të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.Ndërsa, sipas tyre, në veçanti dhe në fokus të këtyre vrasjeve do të jetë ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se shpresat e familjarëve janë se Specialja do të zbulojë të vërtetën e kërkuar për dy dekada.Ai është i mendimi se gjykimi ndaj ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, do të jetë fokus lidhur me vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.“Padyshim se Gjykata Speciale do të merret me vrasjet e pasluftës, kryesisht të aktivistëve të vrarë të LDK-së. Kjo është një shpresë për familjarët e të vrarëve që më në fund të zbardhet e vërteta, dhe që eshtrat e të vrarëve të prehen të qetë. Në veçanti në gjykimin ndaj Kadri Veselit, fokusi do të jetë te vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët dihet se janë vrasje nga rivaliteti politik”, është shprehur Mehmeti.
Tutje, ai thekson se zbardhja e këtyre vrasjeve do të jetë goditje e fortë për Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që, sipas analistit, kryetari i kësaj të fundit është i përfshirë në këtë proces.“Zbardhja e vrasjeve të aktivistëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jetë goditje e fortë për Partinë Demokratike të Kosovës, me kryetarin e saj të përfshirë në këtë proces. Besoj se do të dalin në pah urdhërdhënësit e vrasjeve te pasluftës, të cilët do të marrin dënimin e merituar”, ka theksuar analisti politik, Faton Mehmeti.
Kurse, profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një bisedë për “Bota sot”, ka thënë se përmendja e ish-zyrtarëve të vrarë të LDK-së në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara është një temë e nxehtë, pasi sipas tij, viktimat dihet se janë nga LDK-ja, dhe krejt kjo ka ndodhur për çështje politike.“Përmendja e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara për të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, është një temë e nxehtë, pasi dihet se viktimat janë nga radhët e LDK-së dhe krejt kjo për çështje politike.
Në këtë rast janë dy anët e medaljes. E para; të bën të mendosh se po afrohet zbardhja e këtyre vrasjeve, që mendohet ose supozohet që të kenë pasur edhe urdhërdhënës, e për çka Specialja pretendon se këta njerëz dinë për vrasjen e zyrtarëve të LDK-së, gjegjësisht rivalëve të tyre politik”, shprehet Kelmendi.Se a do të ndodhë mrekullia e zbardhjeve të vrasjeve të ish-zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, profesori universitar shprehet se kjo çështje mbetet për t’u parë, por që Kelmendi shpreh edhe doza skepticizmi.
“Nga aspekti i tjetër është, pra ana tjetër e medaljes është e keqe për Kosovën pasi këta njerëz që janë në Gjykatën Speciale janë krerë institucionesh. Është ish-presidenti Hashim Thaçi, dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi. Pra, janë figura të rëndësishme politike, dhe mënyra se si është duke i përdorur gjykata edhe mund të jetë për t’i deskridituar në masë të madhe. Se a do të ndodhë ajo mrekullia, kushtimisht ta quajmë, për zbardhjen reale të vrasjeve politike, mbetet për t’u parë, por vazhdoj të jem skeptik, pasi këto vrasje nuk janë zbardhur nga Gjykata e UNMIK-ut, as nga Gjykata e EULEX-it, dhe as nga gjykatat vendore”, tha me tej profesori dhe njohësi i çështjeve politike.Kelmendi në këtë bisedë thekson se duhet pritur verdikti i gjykatës lidhur me aktakuzat e ngritura, dhe se opinioni nuk duhet të merret me thashetheme.“Faktet edhe mund të jenë humbur, natyrisht në vrasjet dëshmitarët edhe mund të jenë blerë, të ndërrojnë deklaratat pasi që kanë kaluar dy dekada nga koha e këtyre vrasjeve. Sido që të jetë duhet pritur, dhe duhet duruar në raport me drejtësinë, pra nuk duhet të bije pre e opinionit se këta qenkan fajtorët, por as nuk duhet thuhet se këta qenkan të pafajshmit, thjesht duhet t’i lihet gjykatës. Pasi e kemi prurë këtu punën, dhe janë duke u akuzuar këta njerëz për pretendimet e gjykatës, thjesht duhet të durojmë, dhe të mos merremi me thashetheme dhe të presim verdiktin e gjykatës”, tha krejt në fund profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.Ndërsa, nga ana tjetër, juristi dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se e gjithë aktakuza e Dhoma të Specializuara është hipotetike.Burjani konsideron se prokuroria edhe me tej është ende është larg arritjes së qëllimit të saj, pra rreth zbulimit të vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së.“Tash kjo aktakuzë është hipotetike, por kuptohet se të gjitha rastet duhet zbardhur, është detyrë e drejtësisë të zbardhë faktet nëse ka dhe nëse ka ende të dyshuar për rastet pretenduese. Prokuroria ende është larg arritjes së qëllimit të saj, fjalët janë diçka tjetër edhe përmbajtja. por faktet janë diçka tjetër”, është shprehur Burjani.Juristi me tej për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar situatën e krijuar, dukë thënë se sigurimi i provave dhe fakteve tjera lidhur me vrasjet e ish-anëtarëve të LDK-së është një çështje mjaftë e komplikuar për këtë gjykatë.“Njerëzit nuk mund të akuzohen pa emra dhe pa fakte dhe pa kurrgjë. Kjo gjykatë tenton përgjatë kohës së seancës të zbardhë diçka nëse ka prova, por është e komplikuar shumë kjo çështje, pra sigurimi i provave dhe fakteve tjera është mjaftë e komplikuar për këtë gjykatë”, ka deklaruar juristi Blerim Burjan