Disa prej yjeve të famshme botërore kanë bërë një reagim pas trazirave që shpërthyen dje (e mërkurë) në ndërtesën e Capitol Hillit të SHBA-së.
Nga këto trazira që u shkaktuan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportohet se kanë humbur jetën katër persona.
Sipas policisë metropolitane të Washingtonit u arrestuan 52 persona, 47 prej tyre pasi kanë shkelur urdhrin e shtetrrethimit, siç njofton në një deklaratë për mediat shefi i policisë metropolitane të Washington, Chief Robert J. Contee.
Reagimet nuk munguan as nga të famshmit nisur me Ashton Kutcher, Pink, Jason Isaacs, Sarah Jessica Parker, Karlie Kloss, etj.
“Mbështetni tranzicionin paqësor të pushtetit”, deklaroi Kutcher në një postim në Twitter.
Ylli i muzikës pop, Pink, u tha fansave se është ‘e turpëruar’ për ngjarjet që ndodhën në Capitol Hill, duke shkruar, “Si një qytetare e Shteteve të Bashkuara dhe vajza e dy veteranëve, e motra e një tjetri, unë kam turp për atë që po ndodh në Uashington. Hipokrizi, turp, siklet. Kjo është një ditë e trishtuar për Amerikën”.
Për më tepër, aktori i “The Patriot”, Jason Isaacs, ishte midis atyre që vunë në dukje standardin e dyfishtë në lidhje me protestat rreth vdekjes së George Floyd nga një oficer policie të Minneapolis më 25 maj dhe për atë se çfarë ndodhi të mërkurën.