Partia në Pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se draft-statuti i BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të bëhet publik së shpejti.
Deputetit, Adnan Rrustemi tha për RTV-21 se transparenca për këtë draft është shumë e rëndësishme por që qeveria po e respekton kërkesën e ndërmjetësuesve të BE-së për konfidencialitet.
“Do të ishte mirë të ishte publik, të diskutohej edhe në mesin e specialistëve por edhe në mesin e skenës politike por është çështje e fasilituesëve, por besoj që së shpejti do të jetë publik qofte nëse pranohet qoftë nëse jo ai do të jetë një dokument publik dhe do të ketë mundësi të diskutimit. Unë mendoj se transparenca është shumë e rëndësishme por në rastin konkret është krejtësisht një kërkesë e ndërmjetësueseve për sa kohë është një dokument pune, por Kosova nuk mendoj se duhet të jetë palë destruktive duke e thyer këtë kërkesë apo zotim për ndërmjetësuesit”, tha Rrustemi.
Ditë më parë, Bashkimi Evropian ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk është publikuar pasi përpjekjet diplomatike për këtë çështje janë duke vazhduar.
“Ne kurrë nuk publikojmë dokumente zyrtare që janë në diskutim e sipër dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, kishte thënë zëdhënësi I BE-së, Peter Stano.