Zoran Vuletiq, kryetar i një prej partive opozitare në Serbi, Forumi Demokratik Qytetar, ka thënë se në vendin e tij janë bërë pishman që kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, qe liruar nga burgu 20 vjet më parë dhe se në vend të tensioneve me Kosovën, administrata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të donte ta kishte përballë në dialog ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ose ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës javën e shkuar, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë (që më pas u vendos të shtyheshin), në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së. Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan. Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht. Serbia, me Vuçiqin, ka kërcënuar me kthim të ushtrisë.
Sipas Vuletiqit, që ka folur për “Danas”, ka gjasa që bllokadat të mos jenë vendosur me urdhra të Vuçiqit, por të jetë bërë nga “mbrojtësit e Kosovës, serbët, që e dinë repertorin e zakonshëm të ashtuquajtur të mbrojtjes së vetvetes”.





