Në mesin e kërkesave, Vuçiqi ka numëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale “të lira dhe demokratike” në veri, kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e punës, formimin e Asociacionit, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të “burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës dhe kryerjen e pagesave në veri me valutën serbe, dinar. Ai ka paralajmëruar se brenda 45 ditësh, Parlamenti i Serbisë do të miratojë një ligj për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka prezantuar të premten pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës.
Në një konferencë për gazetarë që ka zgjatur mbi një orë, Vuçiqi krahas masave i ka shpalosur edhe shtatë kërkesa për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”, si “parakushte të domosdoshme për përparim domethënës në dialog”. Në mesin e tyre, ai i ka renditur atë për shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veri, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian (BE), atë për kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre të punës, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës” dhe kryerjen e pagesave në veri me valutën serbe, dinar.
Vuçiqi ka thënë po ashtu se do ta nisë një fushatë diplomatike në të gjithë botën që t’i plotësohen kërkesat dhe ka paralajmëruar takime me 60 liderë botërorë për t’ua prezantuar shtatë kërkesa për përparim në dialog.
“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”, ka thënë ai për masën e parë.
Serbinë ai e ka paraqitur si palën “më të përgjegjshme në të gjithë procesin”. E në një dokument, i cili u është ofruar gazetarëve para nisjes së konferencës, është shkruar se Serbia kërkon që “të hiqen të gjitha pasojat nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit”.
Ai ka paralajmëruar se brenda 45 ditësh Parlamenti i Serbisë do të miratojë një ligj për të shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.
Vuçiqi ka thënë se “institucionet serbe” në Kosovë, të cilat janë mbyllur nga autoritetet e Prishtinës zyrtare, “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen”, teksa e ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë. Ai ka paralajmëruar po ashtu se pranë kufirit me Kosovën do të hapen zyra, në të cilat serbët e veriut do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.
Si masë tjetër paraqitet “vendimi për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.
Presidenti i Serbisë po ashtu ka thënë se ekspertët ligjorë kanë qenë kundër shpalljes së “okupimit”, siç është raportuar nga disa tabloide serbe e kjo çështje do të deklarohet në konferencën e Vuçiqit.
Ai gjatë konferencës për media ka deklaruar se që nga Marrëveshja e Brukselit ka pasur përjashtim të heshtur dhe të madh të serbëve nga Kosova, sepse “zhdukja e serbëve është garancia e vetme se Kosova do të jetë e lirë”.
“Në periudhën në vazhdim mund të presim vetëm lajme të këqija, jo më të mira, sepse zgjedhjet aty (në Kosovë) po vijnë”, ka thënë ai.
Vuçiqi ka shtuar se “për shkak të sulmit brutal ndaj popullatës serbe në Kosovë e Metohi, krahina do të shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”, tek ka ofruar mbështetje financiare për të papunët dhe shumë të tjerë.
“Kjo për shkak se ky terror ka për qëllim që t’ua vështirësojë jetën njerëzve të zakonshëm, serbëve në Kosovë dhe Metohi, dhe paraqet kolaps ekonomik dhe social. Për këtë ne do të rrisim në mënyrë dramatike dhe drastike mbështetjen dhe ndihmën tonë për popullatën”, ka thënë Vuçiqi.
Tek ka folur për zgjidhjet, ai e ka pranuar se nuk mund të ketë diçka të kënaqshme për serbët.
“Do të mund t’i sulmonim të gjithë dhe t’u themi se kemi zgjidhje për problemin e Kosovës, por nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të kënaqshme për serbët”, ka thënë ai.
Vuçiqi ka akuzuar edhe ndërkombëtarët për “heshtjen përballë represionit ndaj serbëve”.
“Ata nuk janë të interesuar për fatin e fëmijëve tanë, e vetmja gjë që u intereson është që çdo masë tonë ta shohin nga këndvështrimi i të ashtuquajturës Kosovë e pavarur. Çfarëdo që të thuash, ata thonë: mirë. Kosova e pavarur ka të drejtë të sillet në këtë mënyrë, në përputhje me kompetencat e një shteti sovran apo diçka të tillë”, ka theksuar Vuçiqi.
Pas deklarimit mbi masat dhe kërkesat, Vuçiqi është pyetur nga gazetarët rreth aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale në Kosovë për sulmin e vitit të shkuar në Banjskë të Zveçanit e në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku. Në shkëmbim të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka kualifikuar këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë e kanë akuzuar shtetin e Serbisë për organizim të sulmit. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
“Organet tona, që kanë të bëjnë me Banjskën, po zhvillojnë hetimet e tyre. Kjo për ne, sigurisht, nuk është terrorizëm… por nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, ka thënë Vuçiqi.
Ai është pyetur edhe nëse Serbia e ka tërhequr letrën nisur në Bruksel nga ish-kryeministrja, Ana Bërnabiq, në të cilën e ka shprehur dilemën e Beogradit rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. Ai as nuk e ka pohuar dhe as nuk e ka mohuar pretendimin e ngritur ditë më parë nga i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, se Serbia e ka tërhequr këtë dokument.
“Nuk e kam idenë për çfarë letre bëhet fjalë. Për Marrëveshjen e Ohrit nuk kemi problem, vetëm dy gjëra: Kombet e Bashkuara dhe organizatat nën OKB”, ka thënë ai.
Adresimi i Vuçiqit të premten ka pasuar me akuza që ai u ka bërë në vazhdimësi autoriteteve të Kosovës për “sulme ndaj serbëve” në veri, pas vendimeve të fundit lidhur me këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur së fundmi disa institucione paralele serbe në veri, me justifikimin se e kanë cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës. Paraprakisht u patën mbyllur disa degë të Bankës dhe Postës së Serbisë, me arsyetimin se kanë vepruar pa leje si dhe është ndaluar përdorimi i dinarit serb për pagesa me para të gatshme./KOHA/