Një person rreth 20-vjeçar është qëlluar me armë zjarri dhe është vrarë nga Shërbimi Sekret i SHBA-së (agjencia që mbron presidentin) pasi dyshohet se u përpoq të hynte në rezidencën e presidentit Donald Trump, Mar-a-Lago, në Palm Beach, Florida.
Siç raporton BBC, presidenti Trump ndodhej në Uashington DC në atë kohë.
Agjentët dhe një zëvendëssherif nga Zyra e Sherifit të Qarkut Palm Beach u përballën me burrin, i cili kishte hyrë në perimetrin e brendshëm në orën 01:30 sipas kohës lokale (06:30 GMT).
Sherifi Ric Bradshaw u tha gazetarëve se personi u gjet duke mbajtur një bidon karburanti dhe një pushkë gjahu.
“Ata e urdhëruan burrin t’i hidhte poshtë sendet. Ai hodhi bidonin dhe ngriti pushkën në pozicion për të qëlluar. Në atë moment, agjentët qëlluan me armët e tyre për të “neutralizuar kërcënimin” – tha Bradshaw njofton BBC.
Oficerët mbanin kamera trupore. Në incident u përfshinë dy agjenci – Shërbimi Sekret dhe Zyra e Sherifit. Asnjë punonjës i forcave të rendit nuk u plagos.
Ende nuk dihet identiteti i burrit që u qëllua apo rrethanat e përpjekjes së tij për të hyrë. Gjithashtu nuk është e qartë sa të shtëna u shkrepën apo nëse arma e burrit ishte e mbushur.
Zëdhënësi i FBI-së, Brett Skiles, tha se zona ku ndodhën të shtënat ishte nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret dhe se FBI po mbledh prova.Ai u kërkoi kujtdo që banon pranë të kontrollojë kamerat e jashtme të sigurisë për çdo gjë të pazakontë dhe të kontaktojë Zyrën e Sherifit të West Palm Beach nëse vërejnë ndonjë gjë të dyshimtë.