Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se “shëndetësia ka qenë çdo vit prioritet i buxhetimit të qeverisë”, ndërsa shtoi se vitin e ardhshëm do të nisin “transformimin” e këtij sektori, duke premtuar edhe “sigurimet shëndetësore”.
Vitia tha në seancën plenare të Kuvendit në shqyrtimin e parë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024, se janë buxhetuar “pikat më nevralgjike që hedhin themelet e transformimit të gjithëmbarshëm të sektorit të shëndetësisë”.
“Lista esenciale është pa dyshim çështja kryesore dhe që po shkon drejt stabilizimit dhe reduktimit maksimal të mungesave dhe kjo në të tria nivelet e shëndetësisë. Dhe do të vijojë si e tillë”, tha ai.





