Pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët, më datë 3 gusht të vitit 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim iu hap rruga për miratim Gjykatës Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë.
E vetmja parti që uanimisht votoi asokohe kundër kësaj gjykate, ishte Lëvizja Vetëvendosje.
Specialja u ngrit bazuar në pretendimet e senatorit zviceran, Dick Marty, të miratuara në një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2010 ku përmendeshin dyshimet për trafikimin e organeve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministër në atë kohë, kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa, zëvendëskryeministër Hashim Thaçi, i cili kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të gjykatës me seli në Hagë.
Tentativa për zhbërjen e Speciales
Më 22 dhjetor 2017, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, ku kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Nisma për revokimin e ligjit mbështetej nga partitë e koalicionit qeverisës të vendit – PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.
Propozimi për shfuqizimin e saj kishte ngjallur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve të Quintit. Ambasadori amerikan në Kosovë në atë kohë, Greg Delawie, e kishte cilësuar këtë veprim si “ngulje e thikës pas shpinës ndaj Amerikës”.
Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe i asaj kohe, Ruairi O’Connell, e kishte quajtur mbrëmjen e 22 dhjetorit, si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.
Kjo iniciativë nuk ishte përmendur më asnjëherë dhe nuk ishte marrë ndonjë veprim tjetër në drejtim të saj.
Më 1 shkurt 2018, presidenti i vendit Hashim Thaçi pati thënë se Ligji që mundëson funksionimin e Gjykatës Speciale ishte i padrejtë, por s’mund të revokohej pavarësisht përpjekjeve nga deputetët nga koalicioni qeverisës.
AKUZAT E PARA PËR KRIME LUFTE
A mund të lirohen me kusht të akuzuarit e Gjykatës Speciale? | Gazeta Mejdani
Derisa ishte rrugës për në SHBA, për të marrë pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 24 qershor i është ndërprerë rrugëtimi nga njoftimi se prokuroria e Specializuar kishte ngritur një akuzë të pakonfirmuar ndaj tij dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaj dhe do të përballem me akuzat”, kishte thënë Thaçi.
Nga 13 deri më 16 korrik ai u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë dhe u bë një nga mbi 200 ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u intervistuan që nga janari i vitit 2019.
Në fillim të nëntorit një gjykatës i procedurës paraprake në Hagë konfirmoi akuzat për krime lufte ndaj presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi dhe shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi, para se të nisej për në Hagë.
Të katër ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.
Në paraqitjet para gjykatës, të gjithë i hodhën poshtë këto akuza.
I pafajshëm është shprehur edhe Sali Mustafa ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i cili u arrestua më 24 shtator nën dyshimet për krime lufte duke u bërë i arrestuari i parë që nga themelimi i Gjykatës së Posaçme. Prokuroria e ngarkon atë për veprat ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Në Hagë ndodhen edhe dy ish drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nën akuzat “për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë”.
Të dy u arrestuan më 25 shtator, pasi që Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë atij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.