LAJME

“Vita” publikoi rezultatet e analizave, AUV: Informacionet e publikuara nuk burojnë nga ky institucion, analizat janë ende në proces përpunimi

“Vita” publikoi rezultatet e analizave, AUV: Informacionet e publikuara nuk burojnë nga ky institucion, analizat janë ende në proces përpunimi
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Korrik 2026, 07:50

Qumështorja “Vita” mbrëmë ka thënë se ka pranuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) rezultatet e analizave të mostrave të produkteve të saj, të cilat, sipas kompanisë, konfirmojnë se produktet e qumështit “Vita” nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe as vaj palme.

Në një njoftim për media, kompania tha se rezultatet i janë përcjellë përmes një emaili nga AUVK, pas protestës së fermerëve të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

Sipas Vita-s, gjatë takimit të zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, ministrit të Bujqësisë dhe përfaqësuesve të kompanisë, është arritur marrëveshje që përkohësisht të vazhdojë grumbullimi i qumështit nga fermerët.

Kompania theksoi se këtë vendim e ka marrë në interes të fermerëve, pasi ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ka premtuar se rezultatet e analizave të mostrave të marra më 2 korrik 2026 do të publikohen jo më larg se 13 korriku. Deri në atë datë, sipas njoftimit, “Vita” do të vazhdojë grumbullimin e qumështit.

Lidhur me këtë ka reaguar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Sipas AUV-së, institucioni nuk ka dërguar asnjë email me rezultate, pasi analizat laboratorike ende nuk kanë përfunduar. Në reagimin e saj, AUV thekson se informacionet e publikuara nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk burojnë nga ky institucion.

“Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar”, thuhet në njoftim.

AUV rikujton se edhe në takimin e mbajtur të dielën me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit është bërë e ditur se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pasi të përfundojnë të gjitha analizat laboratorike dhe të verifikohen nga autoritetet kompetente.

Agjencia u ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që t’u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të AUV-së dhe të mos publikojnë informacione të paverifikuara, të cilat, sipas saj, mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë besimin në procesin e kontrollit zyrtar.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika