Përplasja mes një autobusi dhe një makine ishte fatale për shoferin e njërit prej mjeteve, që gjeti vdekjen pasditen e kësaj të marte në Mirditë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:22, në aksin rrugor Rubik-Rrëshen. Burime zyrtare të policisë thonë se viktimë nga kjo ngjarje mbeti H.S., 58 vjeç, banues në Kosovë. Ai ishte shoferi i një makine “Land Rover” me targa italiane dhe udhëtonte me djalin e tij, i cili mbeti i plagosur.
Siç duket edhe në pamje përplasja mes dy mjeteve ka qenë mjaft e fortë. Makina ku udhëtonin babë e bir është dëmtuar thuajse tërësisht në pjesën e përparme. Po ashtu edhe autobusi, i cili ishte i linjës Tiranë-Prizren-Prishtinë, ka marrë dëmtime të shumta në anën e shoferit.
Policia shoqëroi në komisariat drejtuesin e autobusit, ndërsa në vendin e ngjarjes grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit të rëndë./tvklan.al/