LAJME

Veselaj Gutaj: Shkollat janë gati për 1 shtatorin, kritikon MASh-in për mungesën e dokumentacionit

Veselaj Gutaj: Shkollat janë gati për 1 shtatorin, kritikon MASh-in për mungesën e dokumentacionit
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Gusht 2026, 19:00

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren ka bërë të ditur se të gjitha institucionet edukativo-arsimore në komunë janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/27.

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj Gutaj, ka thënë për TV Prizrenin se DKA-ja ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme në kuadër të kompetencave që i takojnë.

“DKA në Prizren ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në kuadër të kompetencave ligjore që i takojnë, që viti i ri shkollor të fillojë mbarë e mirë. Nesër, më 1 shtator, të gjitha institucionet edukativo-arsimore janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor”, ka deklaruar Veselaj Gutaj.

Megjithatë, drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj Gutaj, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e dokumentacionit shkollor dhe kurrikular, për të cilin ajo thotë se është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Sipas saj, edhe këtë vit shkollor komunat po përballen me mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë Ditarin e Klasës dhe formatet e tjera që përdoren nga mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave për menaxhimin dhe evidentimin e proceseve mësimore.

Veselaj Gutaj ka deklaruar se, për shkak të kësaj situate, shkollat në Prizren detyrohen të përdorin fleta dhe fletore personale për evidentimin e proceseve, duke paralajmëruar se kjo mund të shkaktojë vonesa në evidentime dhe arkivimin e dokumentacionit shkollor.

Ajo ka kritikuar gjithashtu mungesën, sipas saj të përsëritur çdo vit, të dokumentacionit shkollor për komunitetet joshumicë, duke thënë se kjo i detyron ato të improvizojnë dhe, sipas saj, mund të cenojë edhe identitetin e tyre.

Në shkrimin e saj, Veselaj Gutaj e ka cilësuar këtë qasje si “destruktive” dhe ka ngritur dy mundësi për shpjegimin e situatës, duke thënë se ose bëhet fjalë për “jokompetencë” ose për një agjendë për të dëmtuar sistemin arsimor.

“Dua ta besoj të parën”, ka shkruar ajo, duke iu referuar mundësisë së jokompetencës.

Viti i ri shkollor 2026/27 nis më 1 shtator, ndërsa sipas DKA-së, institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Prizrenit janë të përgatitura për të nisur procesin mësimor.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika