Avokati dhe aktivisti politik serb Çedomir Stojkoviq ka kritikuar drejtuesit e Listës Serbe, duke i akuzuar se i kanë nxitur serbët e Kosovës të votojnë për këtë subjekt politik, ndërsa vetë janë zhvendosur në Beograd, ku gëzojnë privilegje dhe kushte më të mira jetese.
Në një reagim të publikuar para zgjedhjeve të së dielës, Stojkoviq ka përmendur disa ish-drejtues të Listës Serbe, përfshirë Vladeta Kostiqin, Aleksandar Jabllanoviqin dhe Goran Rakiqin, si dhe kryetarin aktual, Zlatan Elekun.
Reagimi i plotë i Stojkoviqit:
SERBËT NGA KOSOVA PARA ZGJEDHJEVE TË SË DIELËS:
— Të gjithë ata që i nxitën të votonin për „Listën Serbe” të Vuçiqit (për zgjedhjet në Kosovë) ose për SNS-në (për zgjedhjet në Serbi), janë larguar nga Kosova dhe janë vendosur në banesa luksoze, jashtëzakonisht të shtrenjta, në lagjen „Beograd na vodi”, ndërsa ata i kanë lënë në varfëri.
Ja lista:
Vladeta Kostiq: Vuçiqi e vendosi në krye të Listës Serbe në vitet 2013–2014. Vladeta bërtiste se „serbët duhet të qëndrojnë në Kosovë”, por më pas u zhvendos me familjen e tij dhe u bë deputet në Kuvendin Popullor të Serbisë, në Beograd.
Vladeta i gëzon të gjitha privilegjet dhe mundësitë që ofron Beogradi. As që i shkon ndërmend t’i ndihmojë serbët e tjerë nga Kosova që të zhvendosen në Beograd, ashtu siç bëri ai, e lëre më t’u sigurojë një banesë në „Beograd na vodi”. Sepse ata janë serbë të tjerë.
Nga pronat luksoze në Beograd, Vladeta bërtet: „Ju, serbë, duhet të qëndroni në Kosovë”.
Aleksandar Jabllanoviq – kryetar i Listës Serbe i vendosur nga Vuçiqi në vitet 2015–2017. Më pas, Vuçiqi e emëroi sekretar shtetëror në Ministrinë e Punës, kështu që edhe Jabllanoviqi u zhvendos në Beograd për ta shijuar jetën, qendrat tregtare, restorantet dhe për t’i pasur fëmijët pranë universiteteve etj.
Vëllai i Jabllanoviqit, Marko Jabllanoviq, u arrestua në vitin 2017 për trafikim droge. Në vitin 2024, ai u dënua me gjashtë vjet burg.
Çfarë mendoni, a merrte kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviqi, para nga vëllai i tij Marko dhe a i shpenzonte kryetari i Listës Serbe paratë e Markos nëpër Beograd? A e ndihmonte Lista Serbe në këtë?
Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe i vendosur nga Vuçiqi në vitet 2017–2023, e më pas edhe ai bëhet deputet në Kuvendin Popullor në Beograd, në radhët e SNS-së. E gjithë familja e Rakiqit i gëzon të mirat që ofron Beogradi: Ada, kinematë, restorantet e shtrenjta – të gjitha këto Rakiqi i shijon me kënaqësi, ndërsa nga atje i nxit serbët nga Kosova të përplasen me autoritetet e Kosovës.
Për Rakiqin është e lehtë ta bëjë këtë – ai është deputet në Beograd.
Të theksojmë se Rakiqi ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa tani është deputet në Serbi.
Goran Rakiqi ka bërë tri betime:
Betimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës se do ta ruajë pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial;
Betimin ndaj Albin Kurtit se do ta ruajë qeverinë e tij dhe do ta zbatojë politikën e tij;
Betimin si deputet i SNS-së në Beograd se do ta ruajë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Rakiqi mund t’i bëjë të gjitha.
Cilit Rakiq i besojnë serbët nga Kosova?
Zlatan Elek – kur mori vesh se të gjithë kryetarët e Listës Serbe, pas një kohe, zhvendosen lehtësisht në Beograd me familjet e tyre, ai e pranoi menjëherë propozimin e Vuçiqit që të bëhej edhe vetë kryetar i Listës Serbe. Kjo ndodhi në vitin 2023.
Në vitin 2026, Eleku deklaron se është bërë anëtar i SNS-së – dhe kjo do të thotë vetëm një gjë: Vuçiqi tashmë ia ka siguruar zhvendosjen në Beograd, gjë që pritet të ndodhë.
Asgjë ndryshe nuk ndodh as me nënkryetarët e Listës Serbe.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, gjithashtu nuk jeton në Kosovë. E gjithë familja e tij jeton në Serbi. E gjithë familja e gjerë. Prandaj ai mund t’i nxiste serbët në Kosovë të votonin për Listën Serbe dhe më pas të përplaseshin me forcat ndërkombëtare dhe Policinë e Kosovës.
Lista Serbe, të cilën e formoi Aleksandar Vuçiqi për të manipuluar serbët nga Kosova, është thjesht një bojler kalimtar, përmes të cilit udhëheqja e kësaj liste zhvendoset lehtësisht në Beograd./RTK/