Ditën e hënë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënshkruar listën finale për çmimet e unifikuara të barnave. Sipas ministrit, kjo do të bëjë që barnat do të jenë me çmime të njëjta kudo dhe më të ultë sesa tani.
Lidhur me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë është deklaruar Ismail Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës.
Shurdhaj shprehu shqetësimet e tij, duke thënë se me vendimin e MSH-së tregu nuk do të mund të furnizohet me produkte farmaceutike, dhe se qytetarët do të detyrohen të dalin jashtë Kosovës për të blerë ato.
Gjithashtu, Shurdhaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjithmonë kanë qenë për unifikimin e çmimeve nëpër barnatore, por që në këtë rast MSH ka bërë caktimin e marzhës së çmimit.
“Ne prej fillimit kemi qenë për rregullimin e çmimeve sepse është kërkesë e kamotshme e farmacistëve për unifikimin e çmimeve nëpër barnatore. Duke qenë se Kosova është i vetmi vend pa sigurime shëndetësore, kjo na ka qit në një vështirësi, pasi nuk ka një mekanizëm real edhe të lehtë se si me unifiku çmimet. Realisht MSH ka bërë caktim të marzhës së çmimeve, caktim prej një marzhe jashtëzakonisht të ulët, prej 7.5 përqind, në kohën kur shumica e distributorëve farmaceutik shpenzimet në ATK i kanë në vlerë prej 12 deri 20%. Këto i kanë shpenzime për më mbijetu, pa llogarit marzhën e fitimit”, theksoi ai.
Shurdhaj tha se ne 7.2 përqind, nuk mundet me ekzistu asnjë distributor farmaceutik, që bënë import të produkteve farmaceutike.
Ai madje përmendi edhe pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë nga ky vendim i MSH-së.
“Do të ketë pasoja afat shkurta, do të kemi humbje kontratash me prodhues të mirë farmaceutik, me fabrika të mira, pasoja tjetër mund të jetë largimi i stafit nëpër kompani, sepse nuk mundemi me i mbajtë pa paga. Ndërsa, pasoja afatgjate do të kemi mungesë të theksuar e produkteve farmaceutike në Kosovë”, deklaroi ai.
Më tutje, ai pohoi se edhe sot Kosova është ndër vendet me të varfëra me tregun farmaceutik në rajon.
“Mbrëmë kam pasur rastin, ku një person më ka thirr, dhe ka pasur nevojë për një ampulë që përdoret për fëmijët e lindur parakohe dhe epilepsi, dhe është dashtë në ora 22:00 të shkojë në Kukës të blejë. Shteti ynë nuk e ka atë ampullë që kushton1.50 euro. Më ketë listë që ka nënshkruar ministri, Kosova ka me pas probleme me u furnizu me produkte farmaceutike, dhe ka me pas nevojë qytetari me dalë me ble jashtë barna, në Kukës a Shkup”, pohoi ai.
Shurdhaj po ashtu bëri të ditur se ankesat e tyre i kanë adresuar disa herë në gjykatat kompetente.
“Ne pas ankesave tona në MSH, kemi adresu gjykatave kompetente, varësisht si na kanë dhënë këshilla juridike, ku një prej anëtareve tonë, ka një aktvendim të Gjykatës Themelore që e pezullon vendimin e MSH-së, për deklarimin çmimeve çift. Kemi një aktvendim, e cila merret me çmimet e produkteve esenciale ushqimore, tavan, të cilën Kushtetuesja e ka hedh poshtë”, sqaroi ai.
Ndryshe, ministri Vitia dje deklaroi se me nënshkrimin e listës finale, hapet udhë jetësimit të Ligjit për çmimet e unifikuara të Barnave.
“Për herë të parë, barnat do të jenë me çmime të njëjta kudo dhe më të ulta sesa tani. Në disa nga barnat, çmimet janë ulur 5 deri në 10 herë. Ulje të ndjeshme ka në mbi 2900 produkte medicinale”, shkroi dje ministri. /Telegrafi/